Mali i Zi mbyll klubet e natës deri në muajin gusht

Instituti Malazez i Shëndetësisë Publike njoftoi të premten se klubet e natës do të jenë të mbyllura deri më 2 gusht.

Kreu i Institutit, Igor Galiç, u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat e shëndetësisë edhe pse situata epidemiologjike në vend është stabile, raporton Balkan Insight.

“Nëse situata epidemiologjike është e favorshme, presim që klubet e natës dhe diskotekat ta fillojnë punën përsëri më 2 gusht, mirëpo vetëm për ata që janë vaksinuar tërësisht, ata që kanë e marrë dozën e parë, apo ata që kanë një rezultat negativ të testit PCR. Mbrëmjet e natës dhe festivalet e brendshme janë të ndaluara, ndërsa muzika lejohet vetëm në ambiente të hapura”, tha Galiç në një konferencë për media.