Mali i Zi korrigjon vendimin, e heq fusnotën nga emri i Kosovës

Mali i Zi ka korrigjuar shënimin e Kosovës me fusnotë në një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja kundër pandemisë COVID-19, i cili u publikua gjatë ditës së sotme.

Fusnota e vendosur pranë emrit Kosova është larguar pas reagimeve të shumta që erdhën nga mediat.

Kjo madje u cilësua edhe si një skandal në disa media të Malit të Zi.

Në të gjitha dokumentet e deritashme zyrtare të Qeverisë malazeze, Kosova është trajtuar në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë së saj, përkatësisht pa fusnotë në emër.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi është mjekja Jellena Boroviniq Bojoviq.

Qeveria e re e Malit të Zi është zgjedhur më 4 dhjetor.

Ajo përbëhet nga tre koalicione dhe dominohet nga partia Fronti Demokratik.

Kjo e fundit, në të kaluarën, është zotuar se do ta tërheqë njohjen e Kosovës.

Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes së saj, në vitin 2008.

Qeveria e re e Malit të Zi e shënon Kosovën me fusnotë