Mali i Zi dhuron vaksina kundër COVID-19 për FSK-në

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se kanë pranuar donacionin e vaksinave anti COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi.

Mehaj e ka quajtur donacion të vlefshëm për shkak të vullnetit të dëshmuar për përkrahje të plotë në kohë krize nga miqtë dhe partnerët malazez.

“Sot pata kënaqësinë të pranoj donacionin e vaksinave anti COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, donacion ky shumë të vlefshëm jo për nga vlera financiare sa i vlefshëm nga vullneti i veçantë i dëshmuar për përkrahje të plotë në kohë krize nga miqtë dhe partnerët tanë malazez. Isha i nderuar që aktin e pranimit ta nënshkruajmë së bashku me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Biboviq. Ky donacion dhe aktivitetet tjera bilaterale janë fryt i bashkëpunimit të ngushtë që kemi realizuar gjatë kësaj periudhe me homologen time malazeze, ministren Injac. Bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen që si dy vendeve fqinje me kapacitetet tona të kontribuojmë sa më shumë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, ka shkruar ministri Mehaj në rrjetin social “Facebook”.