Mali i Zi dëbon shqiptarin pasi valëviti flamurin kombëtar

Policia malazeze dëboi një shtetas shqiptar nga vendi sepse valëviti flamurin shqiptar në një festival bujqësor në fshatin me shumicë shqiptare të Ostrosit në Ulqin.

 

Policia malazeze tha se një shtetas shqiptar ishte dëbuar të dielën për prishje të rendit publik dhe prishje të qetësisë duke shfaqur flamurin kombëtar shqiptar në Festivalin e Gështenjës në Ostros në komunën e Ulqinit.

“Bazuar në Ligjin për Kundërvajtje, i huaji u gjobit me 300 euro dhe u dëbua nga territori i Malit të Zi për një periudhë prej një muaji”, thuhet në një deklaratë të policisë.

Ndërsa Mali i Zi nuk i ndalon pakicat etnike të shfaqin simbolet e tyre kombëtare, ai kërkon që ata gjithashtu të shfaqin flamurin kombëtar të Malit të Zi së bashku me këto simbole ose përballen me gjoba q ë variojnë nga 100 deri në 500 euro.

Por faqja e internetit në gjuhën shqipe Malesia.org u ankua se autoritetet malazeze po shkelnin të drejtat e shqiptarëve.

“Është e turpshme që në një shtet siç është Mali i Zi, i cili deklarohet shtet demokratik dhe i lirë, dhe pretendon anëtarësimin në BE, të ndalojë përdorimin e lirë të flamurit te popullit autokton, në këtë rast, edhe në përdorim privat”, tha Malesia.org.

Në gusht, Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi akuza ndaj organizatorëve të një koncerti pranë qytetit të Tuzit për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.

Forumi Shqiptar, një koalicion partish i cili është pjesë e qeverisë së Malit të Zi, argumentoi megjithatë se flamuri që u shfaq ishte “flamuri i të gjithë shqiptarëve, jo i një shteti të huaj”.

Vitin e kaluar, një grup turistësh shqiptarë u gjobitën gjithashtu me 230 euro për valëvitjen e një flamuri shqiptar në qytetin bregdetar të Budvës.

Me rreth 630,000 banorë, Mali i Zi është një shtet multietnik i pazakontë pasi nuk ka asnjë komunitet që përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së tij.

Rreth 45 për qind identifikohen si malazezë, rreth 29 për qind si serbë dhe pesë për qind si shqiptarë.