Mal i Zi, protesta dhe përplasje me Policinë pas arrestimit të priftërinjëve ortodoksë

Protesta dhe përplasje me Policinë ka pasur sonte në Nikshiq të Malit të Zi, ku disa persona ishin mbledhur të protestonin pas arrestimit të disa priftërinjve ortodoksë.

Siç raporton portali i televizionit publik rtcg.me, Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Mbrëmë, Policia malazeze ka ndaluar për të marrë në pyetje peshkopin e Budvës – Nikshiqit Joaniki dhe tetë priftërinj të tjerë, pasi që në NIkshiq ishte organizuar një ritual fetar ku kishin marrë pjesë shumë njerëz.

Pas këtij tubimi kishte reaguar Instituti i Shëndetit Publik duke kërkuar reagimin e Prokurorisë dhe Policisë.

Policia mbrëmë kishte ftuar për të marrë në pyetje priftërinjtë për organizimin e ritit, ndërsa jashtë stacionit policor mbrëmë menjëherë ishin mbledhur dhjetëra persona  duke kënduar këngë nacionaliste dhe duke brohoritur “nuk e dorëzojmë Kosovën”.

Peshkopit Joaniki dhe shtatë priftërinjve tjerë iu caktua masa e ndalimit prej 72 orëve, deri në një vendim tjetër, ka raportuar portali cdm.me.

Priftërinjtë u arrestuan pasi që kishin shkelur masat e Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, ku ndaloheshin grumbullimi i shumë personave për të parandaluar përhapjen e virusit.

Kisha Ortodokse Serbe dje kishte organizuar një liturgji fetare në Nikshiq, e cila mblodhi një numër të madh të qytetarëve pavarësisht ndalimeve për tubime.