Mahmuti: Prokuroria e Prizrenit largoi paragrafë që treguan se Astrit Dehari u vra

Veprimtari shqiptar në Zvicër, Bardhyl Mahmuti, ka thënë se Prokuroria në Prizren te përkthimi i raportit zviceran për vdekjen e Astrit Deharit e ka larguar një paragraf që tregon se Astrit Dehari nuk është vetëvrarë.

“Prokuroria e Prizrenit, çka ka bërë është se pikërisht fjalia e tërë, ku ka treguar se kjo mënyrë se ju thoni ka bërë vetëvrasje është karakteristikë e vrasjeve e kanë prerë më gërshërë. Tërë paragrafi që ekspertët zviceranë kanë thënë  kjo është karakteristikë e vrasjeve e ka hequr. Kjo nuk është e rastësishme por e qëllimshme”, ka thënë ai në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Sipas Mahmutit një pjesë tjetër që nuk është përfshirë në përkthimin e raportit zviceran është edhe një lëndim i Deharit që ata e kanë përmendur në skajin e nofullës.

“Lëndimi që shihet në skajin e nofullës së poshtme nuk është përmendur fare nga ekspertët e Kosovës. Kurse raporti zviceran përmes fotografive e ka konstatuar këtë, e kanë përmendur vetëm një lëndim tek lapra e veshit rreth 4 cm. Po ashtu edhe te përkthimi nuk është përmendur kjo hiç, nuk figuron pikërisht lëndimi në cepin e nofullës së poshtme. Është shprehë në dy rreshta në një paragraf dhe komplet paragrafi është prerë”, ka shtuar Mahmuti.