Mahmuti: Ekspertët zviceranë thonë se Dehari ka pasur puls pasi i është hequr shishja nga goja

Veprimtari shqiptar në Zvicër, Bardhyl Mahmuti, në emisionin “Jeta në Kosovë” ka treguar se cilat janë gjetjet e analizës së tij, kur e ka bërë krahasimin e raportit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe atij të ekspertëve zviceranë për vdekjen e Astrit Deharit.

Mahmuti thotë se ekspertët zviceranë e kanë hedhur poshtë diagnozën e ekspertëve të Kosovës se Dehari ka vdekur nga asfiksia.

“Ka dy diagnoza që ekspertët e Kosovës e përkufizojnë që tregojnë pse ka vdekur, diagnoza e parë është asfiksia apo zënia e frymës me një mjet mekanik të fortë dhe e dyta shkak të vdekjes ndalja menjëhershme e zemrës. Ekspertiza zvicerane i hedh poshtë të dy diagnozat e ekipit mjekut ligjor që e ka bërë autopsinë në Prishtinë”, ka thënë Mahmuti.

Ai përballë Jeta Xharrës ka thënë se ekspertët zviceranë e hedhin poshtë pretendimin e atyre të Kosovës edhe me argumente.

“Ekspertët e Zvicrës japin një numër argumentesh se për çfarë arsye në atë mënyrë nuk është zënë fytyra, nëse i hyjmë në detaje deri në atë se në çfarë thellësie është gjetur shishja në gojën e Astritit, ata e nxjerrin që ka qenë në pjesën e sipërme jo të poshtme. Ekspertët e Kosovës kanë thënë që ka qenë thellë dhe ia ka zënë frymën”, ka thënë ai.

Sipas Mahmutit gjetjet e raportit të ekspertëve zviceranë kanë pasur të bëjnë edhe me gjendjen e Deharit pasi është gjetur në qeli.

“Çështja e dytë është tek dëshmitarët që e kanë parë Astritin është gardiani i burgut dhe infermierja, nuk flas për atë të dhomës. Të dy konstatojnë se kur i është hequr shishja Astritit nga goja, ai ka pasur puls edhe ka marrë frymë dhe nuk është zënë në tërësi fryma, kjo e hedhë poshtë ekspertizën e Kosovës”, ka thënë Mahmuti.