Ilustrim- Jeta Dobranja për BIRN

Magjia e zhdukjes së dy milionëve

Satirë politike: Një detektiv paranormal e ka marrë përsipër hetimin e rastit të dy milionëve që janë zhdukë çuditshëm nga thesari i Kosovës. A mos ëshë i përfshimë edhe Babadimri në këtë konspiracion?

Me kanë detektiv paranormal nuk âsht’ bash punë hajgaresh. Shumicën e kohës del që nuk paska qenë kurrfarë magjie në krymjen e krimit që po e heton, dhe zakonisht është veç naj hile që ose përfshinë teknologji, ose naj lloj dredhie si n’ato filmat e stilit Ocean’s Eleven.

Zhdukja e dy milionë eurove prej Thesarit t’Kosovës i ka shti n’lojë krejt llojet e ekspertave, tu fillu nga tipi i Sherllok Holmsit, e ata që ja mbajnë vetes se munden me i dallu rrenat me sy, e deri te ekspertat e sigurisë kibernetike. Ama, pa marrë parasysh se kend e kanë pas thirrë, krejt janë ra n’razi për nji sen: Me sa duket, paret janë zhdukë n’sekond.

“Sikur m’u pas ba me magji”, tha zyrtari i lartë qeveritar. Dhe kështu pasi që krejt ata magjistarë, shtriga, e mjekë popullorë, nuk mujtën m’e i dhanë zgjidhje këtij rasti, trokitën te unë.

“Je ymyti jonë i fundit”, that zyrtari i njajtë. “Çka po ta merr menja? A na kishe ndihmu?” Ish kanë mozvet, i gjatë me trup, nji meter e tetëdhjetë e tri. Asi far tipi që rrezaton autoritet dhe karizmë veç përmes buzqeshjes së tij. I dashtun, ashtu, si ata klyshat e vegjël, që t’kqyrin me ata sy t’lezetçëm.

Nuk është që s’i kom pas edhe unë dyshimet e mia. A jam more, njeri i duhun për këtë punë? N’fund t’fundit, unë hala isha tuj hjekë prej nji hajnije të ngjashme. Secilin muaj, gjatë dy vjetve, llogaria ime e bankës është rudhë kadaldale deri sa i rashë n’fije se më mungojshin nja 4,400 euro. Shërbimet ishin kry, faturat ishin dërgu, ama paret kërkah. Krejt parandjenjat ma bajshin me dije se vjedhja e thesarit ish ba tuj i përdorë teknikat e njëjta magjike. 

Tash, kjo punë u ba personale. E morra përsipër këtë rast jo pse isha tuj dekë uni për shkak të kollapsit ekonomik pas k’saj pandemie — Parlamentit që veç e premtojke e s’i ngutej hiq m’e miratu paketën ekonomike — por e mora se besojsha që ky hetim munet me i qit’ n’shesh do t’dhana taze t’cilat kishin me m’ndihmu për me i kthy mbrapsht paret e mija. 

“Ah, edhe nji sen”, that zyrtari trupnalt i qeverisë, “kto që i folëm, mbaji pak si msheft. Kërkush s’ka nevojë me ditë për detajet e ktij misioni. M’raporton mu direkt”.

Kjo kërkesë nuk ishte diçka e re në punën tem. Jam msu unë mos m’e bâ t’madhe. Njerezve ju vjen marre me punësu hetues paranormal. Rastet i kam që zakonisht e përfshijnë nji lloj drame n’familje e t’cilën njerëzit — normalisht — kanë qejf me mbajt msheft. Del gjithmonë naj tullusum i cili nuk don që motrat e veta me ditë se ai âsht’ tuj mledh’ fakte n’tjetrën dynja për me jau ngulë e me i lanë pa trashëgimi. 

Bile hiç nuk lavdohna me rastet që i marr përsipër, ama njeri duhet me hangër. Ama edhe nuk muj me thanë që nuk mu ka rritë mendja me kanë pjesë e nji misioni sekret t’qeverisë. Gjithmonë e kam pa vetën si nifar Xhejms Bondit, e ky rol tash e ka t’shtume veç edhe pak magji. 

Hapi jem i parë ish’ qe m’e marr vesh se me kend kam punë. Nashta ka mujt me kanë krejt nji keqkuptim i madh — ai personi që e kanë arrestu po thotë që âsht’ i pafajshëm. Dreqi e hangtë, unë bile habitna nëse ai ka ditë qysh me i maru llog-in-at edhe fjalëkalimet që ju kan dasht m’e kry qat far transferi. Krejt e dinë se shumë që punojnë për qeverinë sot, i kanë marrë ato pozita përmes lidhjeve politike.

Kjo pjesë, bile nuk âsht’ naj sekret i madh. Kqyr ku t’dush, tuj fillu prej nivelit ma t’ultë t’administratës e deri te trupa diplomatike, mos t’i përmendi k’tu edhe antartë e bordeve t’kompanive t’shtetit. Qysh thotë tezja jem: “I vetmi send që e bajnë qysh duhet është shtjerrja e ngadalshme e taksave tona tuj i zgatë sa ma shumë pauzat  e tyne t’drekës e t’kafës.”

Mendoj që kjo âsht’ pak e randë, tuj e veçu faktin se tezja jem vuan prej prezencës së një xhindi i cili gjoja e bën ta flasi të vërtetën, kështu që tulifar budallakish i dalin prej goje. 

M’dhimben britanikët dhe amerikanët e shkretë. Krejt ato pare, e atë vakt, e energji që e harxhojnë tuj u mundu me kriju sisteme e procedura t’duhuna, krejt ato memorandume e raporte, krejt ato dokumente t’ndreçta që i grumbullojnë tuj u mundu me implementu transparencë dhe paansi. Gjatë tanë kohës e harrojnë natyrën magjike t’ksaj toke, se magjitë ma t’mira nuk janë si hajmalia që mundesh m’i shkru nëpër dokumenta t’thjeshtë — ato knohen me gojë. 

Qyshdoqoftë, edhe unë vetë u munova me përdorë nji copë letër modeste n’fazën tjetër të hetimit tem. Ja shkrova nji letër t’sertë zyrtare kompanisë ku ishin transferu dy milionë euro. Në fund t’fundit, ‘LDA Group’ tingllojke si emër shumë profesional, e m’ duhej me konstatu mos pahiri qeveria krejt këtë punë e kish marrë dallash.

Nuk âsht’ kjo hera e parë që qeverisë i pshtjellen gjânat dhe mundohet me i prezantu si dredhina t’dikujt tjetër, e që, në t’vërtetë, ka ma shumë gjasa me qenë paaftsi e dikujt prej atyne që e kanë fitu pozitën me t’njofshëm. Veç lshoja nji sy krejt dokumenteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që janë nënshkru hiq pa u lexu, e masanej kur kthehen n’shpi thojnë se nuk munden me i zbatu se i kanë mashtru për me i nënshkru. 

Dredhitë e njajta me magji bâhen edhe nëpër kompanitë shtetërore — pa marrë parasysh sa fitojnë, krejt ai fitim i shkon tuj bâ pagesa për prishje t’marrëveshjeve e t’kontratave ndaj kompanive me t’cilat as që kishin pasë nevojë me u futë n’biznis  najherë. Shënim vetvetes: Me i zatetë e me i njoftu me shokun tem t’mirë Doktorr F-në. Kontratat dhe marrëveshjet me dreqin janë specialitet i tij dhe nëse kish me ta dhanë veç një këshillë, t’kish thanë se kur e nënshkrun kontratën obligohesh me e zbatu, bile edhe n’xhehnem. E n’anën tjetër, me e dhanë besën, as k’tu n’tokë bile, ‘get, nuk po t’çojka peshë mâ. 

Fakti se LDA Group nuk i është përgjegjë letres teme nuk m’ka befasu, ama po, m’ka bâ merak. Dy prej themelusve t’ksaj kompanie ishin hupë, e kjo âsht’ për tu çudit kur kemi t’bajmë me një kompani ndërtimi. 

Kosova âsht’ toka ma pjellore për me maru ndërtesa t’reja për shkak se arkitektura e saj âsht’ e bazume jo n’urbanizëm por n’ekonominë e tregut t’lirë. Plus, kurrë s’munesh me ditë se kur Agjencia Kosovare e Privatizimit munet me dalë me naj ankand befasues: Sikur t’ishit dy biznesmenë që mirren me ndërtime, kishit pas qejf me kanë aty. Po menoj, edhe unë, kisha pas qejf me i shparitë 3.75 euro për nji hektar toke t’mirë. 

E kom nuhatë nji magji t’fortë që po përzihet n’këtë far pune. Dy biznesmena nuk kishin mujt mu avullu bash qashtu, bile jo me krejt ato mundësi për me i mjelë paret prej qeverisë.

E fiqirova se ish kanë mirë mu zatetë me do t’njofshëm t’mi prej kohnave t’vjetra, do dredhagji sokaqesh që sot janë bâ biznesmena t’respektueshëm. Zor që i njeh sot, me syze t’zeza, me tesha t’shtrejta, me ato ecje t’pispillosuna, me kerre luksi që ju grahin … 

Bashkë i kemi pas praktiku t’njajtat magji edhe nëpër sokaqe e mahalla, por çka m’i bâ naivitetit tem idealisti që m’qoj në ndjekje të nafakave tjera. Në nji t’ardhme t’jetër, nashta edhe unë kisha me qenë njani prej ortakve t’tyre n’këtë kompani. Do t’kishte me qenë punë e vshtirë, ama qishtu âsht’ sot, gjithkah duhesh me punu.

Hyna përmes deres rrotulluese dhe me krah t’zgjatun eca nëpër korridorin e gjânë  për me përshëndetë shokun tem t’vjetër Zhiletin. Atë kohë me t’pas nxanë Zhileti tuj bâ naj dredhinë ma shumë t’shashtriske aj shikimi i tij sesa me t’pas pre; ama sot krejtve i drejtohem me emnat e tyne t’respektueshëm, qysh i kan t’shkrume n’letërnjoftime. 

Qysh kesh tuj e përshëndetë Zhiletin, kur një zhurmë e madhe erdh’ prej dyrve kryesore. “Kërkush mos livritni! Policia k’tu!”

Unë rrisha me durt e hapuna, si me kanë statuja e Krishtit n’Rio. Zhileti ma lshoi njo prej atyne shikimeve të tij t’vjetra, thujse unë ja kam pru msyshin, thujse ish’ faji jem, thujse prej shikimeve t’mia e ka kaplu syni i ligë. 

“Krejt mu pshtetë për muri!”

I mshela sytë tuj u mundu me i ikë shikimit akuzues t’Zhiletit. I nijsha çizmet tuj m’ardh prej mas, t’shoqnume prej bërtimave t’zhurmshme që ushtojshin n’ajr. Me’m nxanë taksirati e m’u blloku n’mes t’bastisjes policore, ish’ seni i fundit n’axhenden tem. Ama kish’ mujt me qenë edhe mâ keq, mendova, munden me m’gabu si najnjanin prej bashkëpuntorëve t’Zhiletit.

“Mshele gojën. Mos fol. Sytë përpara.”

Kjo i bijke si me jau pru unë telashet veç tuj mendu për suksesin e shokve t’vjetër, e punën e madhe që e bâjnë, e pasuritë që i kanë grumbullu. U kon dashtë që unë m’e ditë ma mirë këtë sen. U kon dashtë me marrë masa. Kundra msyshit, kundra synit t’lig, kundra gjithçkaje.

Kur, rrap-tap, prap njëfar magjie. Apet ajo e njejta. Ksaj here n’formë t’ni cingrrime t’zhurmshme telefoni.

“Po, zotni. Po. Po. Qashtu. Po, zotni. E kuptova.”

Prangat rreth durve t’mia mu heqen po aq shpejt qysh edhe mu kishin ngjitë. Kur i çela sytë, Njësia Speciale veç ja kish shkelë, e kish ikë. 

“O dreq që e ndjell mësyshin”, m’tha Zhileti “paske pasë nafakë sot”, dhe e fërkonte dorën aty ku pak sekonda ma herët e kish’ pasë ftohtësinë e prangave t’metalit. “Kryeministri ke n’telefon. Veç sa e zhbani Task Forcen kundra Korrupsionit. Hajt tash. Çkado që t’ka pru k’tu, tash ka marrë fund.”

Kjo, pernime, ish nji magji e fortë. Qysh mu shty unë me forca kaq t’mdhaja? Ja nisen me mu harxhitë idetë, edhe bâna çka kish me bâ secili detektiv paranormal me tru t’kfjelltë — shkova me u kshillu e me lyp ndihmë prej ish mentorit e msusit tem.

Nuk ke shumë vshtirë m’e gjet Burdushin e Madh. Nëse keni pritë m’e pa n’burg, duke nejt badihava n’qelinë e tij, keni mu zhgënjy keq. Burdushi kish dalë, duke u knaqë me rehatinë e t’mbrojturit n’liri derisa të dëshmohet fajsia e tij. Kosova si Amerikë! Bile bile, ish bâ kandidat serioz për me fitu Çmimin Nobel — alamet magjie! Nji asi arratie pa asni therrë n’kamë që as Hudini s’kish mujt m’e përmledhë.

E nijsha pak vetën n’siklet prej k’tij takimi, ma shumë për shkak se unë isha kanë unë ai që kisha ndihmue me shti Burdushin n’burg. Ama, kohë t’vshtira … p’e dini. 

“Kqyre kush kóka. Hasmi jem ma i dashtun”, foli Burdushi, prej rahatisë së njanës prej zyrave të tij n’Prishtinë — edhepse ekonomia kish ra përtokë, bizneset me magji, me gjasë, po lulzonin. E lshoj telefonin që ja ndriçojke ftyrën, u qu prej tavolinës prej drunit t’kuq dhe mu afru ngat. “Çfarë pune na pruni knaqsinë e ktij takimi?”

Nëse najkush ka naj haber për natyrën magjike t’parave, ky kish me qenë Burdushi. Përmes magjisë Burdushi ka arritë me ndiku në njerz që me i ba pagesa, që gjatë viteve ju kan grumullu diku nja nji milion euro.

Nuk u kanë hera e parë që ai u akuzu për mashtrim dhe përdorimin e magjisë n’ praktika t’palejueme mjeksore, ama u kanë hera e parë që e kan pas rrasë n’burg për këtë punë, edhepse shumë shkurt. Edhepse hetimet e procedurat gjyqësore vazhdojshin hala, ama atij thujse s’ja nijke hiç. 

“Çka po m‘kqyr ashtu?” tha, “a s’ke pa najherë naj njeri t’dalun frik prej burgu, a?” Burgu âsht’ për burra!” 

E saktë, mujsha me menu për shumë njerz t’mdhaj që hajshin burg tash për tash, edhe k’tu edhe jashtë. Disa prej tyne kishin fuqi t’mdha magjike, tjertë ishin veç njerz t’thjeshtë, disa prej tyne kishin lidhje me politikën, tjertë ishin veç lojtarë t’lirë t’pazarave ekonomike, disa prej tyne kishin prirje për mu kallxu e mu fry, tjertë kishin qef mos me ba t’madhe. Qyshdoqoftë, asnjani prej tyre as nuk i afrohet Burdushit t’Madh.

“Duhesh me kanë krejt i pashpresë ani me ardhë e me lyp ndihmë prej meje”. Qe sa i mirë âsht’, sa i zoti, n’gjendje me ta lexu mendjen hala pa e folë nji fjalë. Disave kjo ju doket e frikshme. 

“S’munesh me kanë qaq naiv, a?”, pyeti Burdushi. “Gjithmonë kam thanë se ndershmërinë dhe idealizmin i ke pasë si Egjel. O e shkrume: kan me ta pru fundin. E ky fund po doket o’ ma ngat sesa ta merr mendja…”

A mos m’jepke ai me kuptu se njerezit që m’kishin punsu mujnë me kanë bash ata që majnë ymyt n’dështimin tem? A mos e kan bâ vet plaçkitjen? A mos po munohen me mlu edhe najsen tjetër? Sa fell munet me shku ky konspiracion?

“Ke nisë me hup udhën. Je kah i harron leximet. N’lidhje me burimin e krejt ksaj magjie. N’lidhje me natyrën e realitetit”.

Nashta ai e kish me t’drejt. Kur u kanë hera e fundit që unë i kom lexu filozofat? Krejt qaty âsht’, tuj fillu prej “shpellës” së Platonit e deri te Baudrillardi: Krejt kjo âsht’ simulim, kjo pamje e dynjasë në t’cilën jetojmë — që e bon t’mundshme këtë magji, n’veçanti kët’ magjinë ekonomike. Prej m’nyrës qysh punon qeveria e deri te mënyra qysh jetojmë … krejt âsht’ nji simulim i keq, m’u shprehë lehtë. 

“Mos u hup tash n’mendime. Koncentrohu. Përcilli paret.”

“Po”, thash unë tuj i folë për herë t’parë.

“Jo për dy milionë, hajvan. Atë tjetrën. Plaçkitjen. Kasafortën.” 

Ah, bre, po. Qysh m’ka ikë pa e pa. Qysh s’kom mujt me ba nji lidhje vendimtare? Kjo ka bâ vaki veç nji apo dy ditë ma herët. Plaçkitja e kasafortes te Agjencia e Veterinarisë!

E çka me i bâ plaçkitjeve tjera. Tuj fillu prej filialeve bankare e deri te bankomatat, s’ka gjasa me qenë rastsi. Çfardo lidhje e vogël âsht’ shumë me rëndësi. Çuditnisht, gjithçka u bâ e kjartë. Gjithçka kish’ kuptim. Krejt copat e mozaikut u bashkunë dhe e pashë krejt pamjen. I ngazëllyem tejmase prej vizionit t’kfjelltë, ika shpejt e shpejt. Kish hala shumë punë për m’u bâ. 

“Herën tjetër bjermi do gurabija, hajvan. Ku i pate ment’?”

Ecsha nëpër rrugtë e Prishtinës me hapa t’shpejtë. Dielli kish perëndu, dhe ato dritat festive e vizllojshin krejt sheshin. Kqyrsha me ju shmang sa ma shumë kallabllakut, u ngutsha me mrri n’shpi para se ma ardhë ora policore n7.

Pavarësisht t’ftoftit që t’çpojke, njerëzit ecshin me hapa t’matshëm. Kafet ishin përplot tuj ushtue prej myshterive që folshin tuj i fry n’gojë njani-tjetrit, tuj keshë e tuj u përqafu e tuj u puthë.

Ky âsht’ nji simulim perfekt, menova vetmevete, edhepse i kthym përmys, ama prapseprap i mbushun me magji. Bon vaki që ishin dritat vizlluse nëpër pemë, apo nashta reflektimet prej sipërfaqeve t’akullta, apo nashta fakti se Babadimri ish nis drejt meje, por ajri ish’ përplot magji. E babadimri po afrohej gjithmonë e ma shumë.

“Qe”, m’tha dhe ma zgjati nji zarf t’trashë. “Njehi. Krejt qaty i ki. Qato 4.4 tujat dhe diçka ekstra, pak qaty, se s’p’i bojshe sendet me t’madhe”.

Edhe qashtu ke. 4,400 eurot e mija që m’u kishin pas zhdukë n’mënyrë misterioze ishin qaty, bile edhe ni bonus goxha i mirë.  

“Je afru goxha ngat, për pak me e zbulu çarçafin e madh. Ki selam prej atyne shokve prej s’nalti. Gzuar festat!”

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Anglisht në Prishtina Insight. Përkthimi dhe përshtatja nga Nuhi Shala.