Macroni u kthehet bisedimeve të ngërçit politik

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të mbajë bisedime me hisedarët kryesorë politikë në përpjekje për të formuar një qeveri të re pas zgjedhjet e parakohshme parlamentare të muajit të kaluar rezultuan pa asnjë parti me shumicë të nevojshme në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e fuqishme e parlamentit.

Zyra e Macronit ka bërë të ditur se do të ketë takime me liderët e partive më të mëdha politike të Francës të premten dhe të hënën në Pallatin Elize me qëllim që të “lëvizet përpara drejt një shumice të mundshme të gjerë dhe stabile”, raporton AP.

“Emërimimi i një kryeministri do të jetë pasojë prej këtyre konsultimeve dhe konkluzioneve”, thuhet në komunikatë.

Koalicioni majtist, Fronti i Ri Popullor, fitoi një të tretën e mandateve në parlament, më shumë se çdo grup tjetër në zgjedhjet e parakohshme të muajit të kaluar. Aleanca centrist e Macronit doli e dyta dhe Tubimi Kombëtar, parti e së djathtës ekstreme, i treti.

Mungesa e një blloku politik dominues – dhe spektri i një parlamenti pa shumicë dhe një paralize politike – është i pashembullt në historinë moderne të Republikës Francez.

Fronti i Ri Popullor ka ngulmuar se si grupi më i madh parlamentar, kryeministri duhet të jetë nga radhët e tyre. Koalicioni zgjodhi Lucie Cestetsin, pak të njohur në jetën politike, si kandidate për kryeministre.

Ajo do të marrë pjesë në bisedimet e së premtes bashkë me figurat e tjera të larta të koalicionit, që përfshin edhe të majtën ekstreme të Francës së Papërulur, socialistët dhe të Gjelbrit.

Centristët dhe konservatorët do të marrin pjesë gjithashtu në takim me Macronin, derisa liderët e Tubimit Kombëtar pritet të shkojnë të hënën në Elize.

Macroni muajin e kaluar nuk e pranoi kandidaturën e Castets, duke thënë në një intervistë televizive se “çështja nuk është emri i një ofruar nga një grup parlamentar”, dhe se është e domosdoshme që të ketë shumicë që e mbështet kandidatin a kandidaten për drejtimin e qeverisë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com