Gisele Pelicot,. Foto: AP

Macroni falënderon Giselen për guximin në gjykimin kundër dhunuesve të saj

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur nderimet e tij për Gisele Pelicotin, për forcën e treguar në proces gjyqësor për rastin e dhunimit masiv prej burrit dhe pesëdhjetë burrave të tjerë, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC.

Duke e përshkruar si një flakadan, Macron ka thënë se “dinjiteti dhe guximi i saj kanë prekur dhe frymëzuar Francën dhe botën”.

Ish-burri i saj, Dominuque Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me dënimin maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunimin sistematik pasi ka pranuar se e kishte droguar për pothuajse një dekadë dhe se kishte rekrutuar dhjetëra burra për dhunim derisa ajo nuk kishte vetëdije si pasojë e efektit të ilaçeve qetësuese.

Pasi pesëdhjetë burrave të tjerë iu shqiptuan dënime më të ulëta, Gisele Pelicot ka thënë se gjyqi ishte një situatë e sikletshme për, porse ka ngulmuar se beson që në të ardhmen, gratë dhe burrat mund “të jetojnë në harmoni me respekt dhe mirëkuptim të përbashkët”.

Ishte vendimi i saj që të lejonte që procesi të zhvillohej publikisht dhe t’i publikohej identiteti me qëllim që të rrokte vëmendjen botërore në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale.

Gjyqtarët në qytetin jugor francez, Avignon, shpallën fajtorë 51 të akuzuarit prej moshës 27 deri në 74 vjeç, por një avokat i Gisele Pelicotit ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do të shpaguajë jetën e saj të rrënuar”.

Tre fëmijët e saj thuhet se janë dëshpëruar se shumë prej dënimeve ishin më të ulëta sesa kishin kërkuar prokurorët. Verdiktitet janë prej 3 deri në 15 vjet prapa grilave, derisa prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal prej 18 vjetësh.

41 prej të dënuarve janë dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit. Shumica prej të dënuarve kanë thënë se do ta apelojnë vendimin.

Avokati i Dominique Pelicot ka thënë se është “tronditur” prej dënimit, duke bërë të ditur se do ta apelojë vendimin. Gjykatësit kanë thënë se ai do të duhet të vuajë dy të tretat e dënimit përpara se të kualifikohet për lirim me kusht.

Gisele Pelicot iu drejtua mediave pas përfundimit të seancës të enjten, duke thënë se kurrë nuk u pendua që hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet dhe “hapi dyert” e gjyqit “në mënyrë që, shoqëria të mund të shihte se çfarë po ndodhte”.

Fëmijët e Pelicotit ishin “të zhgënjyer” nga dënimet “e ulëta” – citoi Agjencia e lajmeve AFP të ketë theksuar një anëtar i familjes.

Gjyqi ka tronditur Francën e botën më gjerë dhe e ka bërë Gisèle-n ikonë feministe. Ajo u takua nga qindra mbështetës, teksa po largohej nga Gjykata. Shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrime. Njëra kishte sloganin thelbësor të gjyqit: “Turpi ndryshon anët”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com