Foto: FB i Michel Barnier

Macroni e emëron kryeministër “Monsieur Brexitin”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka emëruar Michel Barnierin kryeministër të ri pothuajse dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme që rezultuan me ngërç të madh politik, raporton BBC.

Barnier, 73 vjeç, është ish-kryenegociator i BE-së i Brexitit dhe u kishte prirë negociatave me Mbretërinë e Bashkuar ndërmjet viteve 2016-19.

Veteran i republikanëve të së djathtës(LR), ai ka karrierë të gjatë politike me shumë poste të ndryshme të larta, në Francë dhe brenda Bashkimit Evropian.

Ai tani do ta formojë një qeveri që duhet të mbijetojë në Asamblenë e përçarë Kombëtare me tri blloqe të mëdha politike, por asnjëra me shumicë të nevojshme parlamentare.

Tyri vjet më parë, Barnier tha se donte ta sfidonte presidentin Macron në zgjedhjet presidenciale, duke theksuar se do të donte të kufizonte dhe merrte kontrollin e migracionit. Por ai dështoi që të merrte mbështetjen partiake për presidencialet franceze.

I njohur si “Monsieur Brexit”, Barnier do të jetë kryeministri më i moshuar që ka pasur ndonjëherë Republika e Pestë prej vitit 1958.

Ai do ta pasojë Gabriel Attalin, kryeministër më të ri ndonjëherë të Francës, të cilin Macroni e kishte emëruar në fillim të fillim të vitit 2024 dhe që prej korrikut qëndroi si ushtrues detyre pas zgjedhjeve parlamentare.

Macronit i janë dashur 60 ditë për ta ndarë mendjen për kryeministrin e ri, pasi kishte shpallur “armëpushim politik” gjatë Olimpiadës së Parisit.

Pallati presidencial ngulmon se presidenti ka bërë zgjedhjen më të mirë për stabilitetin e vendit. Por emri i Macronit menjëherë ka nxitur pakënaqësi në mesin e Frontit të Ri Popullot(NFP), aleancë e partive majtiste, që fituan më së shumti vota në zgjedhje dhe kandidatja e të cilëve për kryeministre u refuzua nga Macroni.

Jean-Luc Mleenchon, lider i Francës së Papërkulur(LFI_ – partia më e madhe prej koalicionit me katër anëtarë – ka reaguar ashpër. Ai pretendon se zgjedhjet “iu vodhën popullit francez”.

E djathta ekstreme, Tubimi Kombëtar, i Marine Le Penit doli e dyta në zgjedhje, derisa centristët e Macronit në vendin e tretë. Për qeverinë e re pritet të jetë sfidues kalimi i legjislacionit në një parlament të ndarë në tri blloqe të mëdha dhe me pikëpamje krejtësisht të ndryshme.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com