Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Macron zotohet se do të qeverisë “për të gjithë”

Projeksionet e televizioneve franceze tregojnë se Emmanuel Macron ka fituar mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të Francës me 58 për qind të votave.

Francezët kanë votuar më 24 prill për të zgjedhur presidentin e tyre për pesë vjetët e ardhshëm.

Macron, 44-vjeçar, ka garuar kundër kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, 53-vjeçare.

Ajo besohet se ka fituar 42 për qind të votave.

Projeksionet e përgatitura nga mediat franceze janë kombinim i rezultateve reale dhe atyre të sondazheve, andaj konsiderohen tejet të besueshme.

Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

 ‘Jam president i të gjithëve’

Macron ka nisur fjalimin e fitores duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se disa e kanë votuar për të bllokuar të djathtën ekstreme.

Macron ka thënë se është duke menduar për ata që nuk e kanë votuar dhe ata që kanë votuar për Le Penin e tani janë të zhgënjyer.

“Prej tani e tutje unë nuk jam kandidat i një kampi, jam president i të gjithëve”.

“U them atyre që kanë votuar për të djathtën ekstreme që do të jetë përgjegjësi e imja dhe ekipit tim që të adresojmë shqetësimet e tyre”.

Mbështetësit e tij kanë bërtitur “edhe një, edhe dy, edhe pjesë vjet tjerë”.

“Do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe për barazi në mes të burrave dhe grave”, ka thënë Macron.

“Ne duhet të tregojmë respekt sepse shteti ynë është aq i ndarë… askush nuk do të lihet anash”.

Presidenti francez po ashtu ka thënë se “kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e pesë vjetëve të fundit”.

“Lufta në Ukrainë na tregon se jemi duke jetuar në kohëra tragjike”, duke shtuar se Franca duhet të ndërtojë forcat e veta.

Macron e ka përmbyllur fjalimin e tij duke thënë se është krenar që do t’i shërbejë sërish popullit francez./REL