Presidenti francez, Emmanuel Macron - Foto: Facebook

Macron thotë se gjatë ditëve të ardhshme do ta emërojë Kryeministrin e ri

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se do ta bëjë të ditur emrin e Kryeministrit të ri, në ditët e ardhshme, pasi Michel Barnier dha dorëheqje një ditë pasi Asambleja Kombëtare e rrëzoi Qeverinë e tij – ka raportuar BBC.

Barnier dha dorëheqje pas mocionit të mosbesimit të së mërkurës – 90 ditë pasi mori detyrën për udhëheqjen e Ekzekutivit.

Macron ka bërë të ditur se i ka kërkuar Barnierit të shërbejë si Kryeministër në detyrë derisa të zgjidhet Kryeministri i ri.

Pak çaste pas përfundimit të adresimit që ka bërë para kombit francez, Macron ka publikuar në media sociale një fotografi gjatë takimit me Barnierin. “Dua ta falënderojë Michel Barnierin për punën që e ka bërë për vendin tonë, për përkushtimin dhe këmbënguljen e tij.” – ka shkruar ai.

Barnier humbi besimin e shumicës pasi Fronti i Ri Popullor (NFP), aleancë e së majtës dhe Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme i Marine Le Penit, votuan për rrëzimin e Qeverisë së tij.

Ishte hera e parë që një qeveri franceze u rrëzua nga Parlamenti, pas më shumë se gjashtëdhjetë vitesh.

“Aty ku vendi është i cenueshëm duhet të rindërtohet.” – ka deklaruar Macron gjatë adresimit të tij, duke e pranuar se ka dëshpërim dhe ankth në mesin e francezëve pas zhvillimeve të fundit. Por, është zotuar se Francës do t’i kthehet shpresa.

“E kemi treguar dhe do ta vazhdojmë t’ia tregojmë këtë botës.” – ka shtuar ai.

Presidenti Macron e ka mbyllur fjalimin me frazën e njohur: “Rroftë Republika, rroftë Franca!”

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com