Macron pret në takim Kurtin: Kosova dhe Serbia të gjejnë një kompromis për t'u kthyer nga ardhmja evropiane

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pritur sot në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët para Pallatit Elysee, presidenti Macron ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen për të gjetur një kompromis.

“Jam shumë i nderuar të ju pranoj në vizitën e parë si kryeministër. Franca ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e që nga kjo kohë nga marrëveshjet dypalëshe ka pasur shtytje për zhvillimin tuaj ekonomik. Kosova ka rëndësi për Bashkimin Evropian… Unë ftoj Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen për gjetjen e një kompromisi për t’u kthyer nga e ardhmja evropiane”, u shpreh Macron.

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka siguruar presidentin Macron se Kosova po ndjek nga afër zhvillimet në Bruksel, sidomos pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit amerikan Joe Biden.

“Është privilegj për mua që të jem këtu për t’iu garantuar që Kosova do të jetë gjithnjë me aspirata evropiane dhe demokratike. Ju siguroj që po i ndjekim nga afër zhivllimet e fundit në Bruksel sidomos me ardhjen e presidentit Joe Biden dhe bisedat që pati me shtetet evropiane. Ne besojmë që një situatë e re politike po krijohet, e menduar më mirë, me pjesëmarrje më të artikuluar, të drejtpeshuara. Dhe në një situatë të tillë, do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona dhe në rajon me marrëdhënie të mirë fqinjësore dhe përspektivës evropiane. Ndihem i nderuar që kam mundësinë të flas me ju për zhvillimet tona. Sado i vogël shteti ynë ka për mision shtetin e së drejtës, me të njëjtin cilësi si shtetet e mëdha demokratike, ku bën pjesë edhe Franca”, u shpreh Kurti.

Kurti në fund ftoi Macronin që ta vizitojë Kosovën.

Pas konferencës, nisi takimi Macron – Kurti.

Ftesën për takim, presidenti Macron ia kishte dërguar para tre muajsh kryeministrit Kurti, pasi ai kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris pas marrjes së detyrës si kryeministër.