Lufta në Ukrainë, Foto: VOA

Macron e Putin qëndrime të kundërta për përgjegjësinë e rrezikut në Zaporizhzhia

Presidentët e Rusisë dhe Francës zhvilluan një bisedë telefonike të dielën ku diskutuan mbi sigurinë në centralin bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë. Vladimir Putin fajësoi forcat ukrainase ndërsa Emmanuel Macron bëri përgjegjëse trupat ruse.

Kushtet në centralin më të madh bërthamor të Evropës vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim global. Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për goditje me granata rreth objektit të Zaporizhzhias gjë që secila palë thotë se mund të shkaktojë një rrezatim katastrofik.

Njoftimet për bisedën nga Kremlini i Rusisë dhe Pallati Elysee i udhëheqësit francez theksuan vështirësitë në përpjekjen për të gjetur një marrëveshje për të garantuar sigurinë në atë zonë.

“Pala ruse tërhoqi vëmendjen ndaj sulmeve të rregullta ukrainase ndaj objekteve të centralit, përfshirë ndaj mbetjeve radioaktive, gjë që mund të shkaktojë pasoja katastrofike,” thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit.

Moska bëri thirrje për një “ndërveprim jo të politizuar” për këtë çështje me pjesëmarrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Në deklaratën e saj, presidenca franceze tha se marrja nën kontroll nga trupat ruse e centralit, ishte ajo që po e vinte atë në rrezik.

“Ai (Macron) kërkoi që forcat ruse të tërheqin armët e rënda dhe të lehta nga atje (Zaporizhzhia) dhe që rekomandimet e Aghencisë për Energjinë Atomike të ndiqen për të garantuar sigurinë në vend,” tha Pallati Elysee.

Agjencia ka kërkuar që të krijohet një zonë sigurie rreth zonës.

Të dielën, agjencia tha se një linjë energjie rezervë në central ishte rivënë në punë, duke i siguruar energjinë elektrike të jashtme që i nevojitet për të ftohur reaktorët e saj dhe për t’u mbrojtur kundër rrezikut të shkrirjes.

Agjencia shtetërore Energoatom kishte thënë më herët se kishte ndërprerë funksionimin e centralit si masë sigurie.

Pallati Elysee tha se zoti Macron do të mbetet në kontakt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy “si dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë për Energjinë Atomike, dhe do të flasë sërish në ditët në vijim me Presidentin Putin në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për të garantuar sigurinë në central./VOA