Macron e Merkel e bëjnë Rusinë dhe Ukrainë të pajtohen për armëpushim

Presidenti rus Putin dhe ai ukrainas, Zelensky u takuan për bisedime në Pallatin Elysee, në Paris, në tryezën e ashtuquajtur Formati i Normandisë për bisedime.

Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një armëpushim tjetër në luftën midis separatistëve të mbështetur nga Moska dhe qeverisë së Kyiv në Ukrainën lindore, por mbeten thellësisht të ndarë se si të zgjidhin konfliktin, të përshkruar nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron si “një plagë e hapur në zemër të kontinentit evropian”, shkruan e përditshmja britanike, Finacial Times.

Takimi mes dy liderëve ishte përballja e parë midis të dyve qysh nga koha kur  Zelensky u zgjodh si President i Ukrainës në fillim të këtij viti duke prematuar se do të jepte fund një lufte e cila deri më tani ka marrë jetën e gati 14,000 qytetarëve.

Takimi i Putin dhe Zelensky u zhvillua në margjina të këtij samiti ku përveç tyre po marrin pjese edhe liderët e Francës,  si nikoqire, dhe Gjermanisë, në kërkim të një zgjidhje të konfliktit ukrainas pas aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin  2014 dhe destabilizimit të të Ukrainës lindore.

Të katër liderët ranë dakord për një seri masash të menjëhershme për të “stabilizuar situatën në zonën e konfliktit”, duke përfshirë një armëpushim deri në fund të vitit, një plan për pastrimin e fushave të minuara, një shkëmbim të plotë të të burgosurve dhe shkëputje ushtarake nga tre zona shtesë deri në Mars të vitit 2020.

Sidoqoftë, Putini dhe Zelensky mbetën plotësisht në kundërshtim për një zgjidhje politike afatgjate, shton tutje Financial Times.

Ukrainasit kërkojnë kontroll të plotë të kufirit ukrainas përpara zgjedhjeve rajonale që do të siguronin një shkallë të autonomisë në zonat e kontestuara. “Unë insistova që Ukraina të ketë kontrollin e plotë të kufijve të saj,” tha Zelensky në një konferencë shtypi, “dhe unë insistova në tërheqjen e të gjitha forcave të huaja”.

Presidenti ukrainas, i cili nga disa kundërshtarë të tij është akuzuar për një qëndrim shumë zemërgjërë ndaj Rusisë, deklaroi se shkëmbimi i të burgosurve ishte i rëndësishëm mirëpo dëshira e tij është të arrihej diçka më shumë në lidhje me këtë konflikt.

“Armëpushimi është shpallur 20 herë gjatë pesë ose gjashtë viteve të fundit dhe po aq herë është shkelur,” tha ai.

Putin, i cili e portretizon veten si mbrojtës të popullatës rusishtfolëse në Lindje të Ukrainës, nuk u zmbraps aspak nga kjo deklaratë e homologut të tij ukrainas duke kërkuar zbatimin e rreptë të marrëveshjeve të Minskut  të dakorduara më parë me paraardhësin e Zelensky në vitet 2014 dhe 2015. Ai tha se Kyiv mund të rimarrë nën kontroll territorin e tij pasi “të mbahen zgjedhjet”.

Macron – i cili, njihet për një lloj flirti me Putinin gjatë vitit të kaluar, ka vënë në rrezik indinjatën e shteteve të Baltikut dhe atyre të vendeve anëtare të BE-së të cilat ndjehen të kërcënuara nga Rusia – pranoi që shumë punë mbetet për të bërë.

“Akoma nuk kemi gjetur ndonjë zgjidhje, mirëpo kemi përparuar në këtë drejtim,” deklaroi ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri apel për “më shumë fleksibilitet dhe përkulshmëri” për ti implementuar marrëveshjet e Minskut dhe u pajtua me Z. Macron që përparimi do të ishte i vështirë.

“Unë them hapur se kemi shumë punë për të bërë,” ka deklaruar Merkel, përcjell Financial Times.

Pritshmëritë ndërkombëtare për një samit të suksesshëm tashmë janë të pakta, marrë parasysh dëshirën e zbehtë të Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë apo për të bërë koncesione të mëtejme.

“Takimi midis Presidentit të Ukrainës Zelensky dhe Presidentit Putin në Paris sot do të tregojë nëse ka ndonjë dëshirë origjinale në Moskë për të zgjidhur konfliktin e saj me Ukrainën,” deklaroi Carl Bildt, ish-kryeministri suedez, përmes llogarisë së tij në Twitter

“Presidenti francez Macron ka folur për një marrëdhënie të re me Rusinë, por ky me të vërtetë është vetëm një test”

Në Bruksel, Josep Borrell, shefi i ri i politikës së jashtme të BE, paralajmëroi se blloku i BE-së nuk kishte plane aktuale për ti hequr sanksionet ndaj Rusisë.

Masat kryesore ekonomike të BE kundër Moskës pritet të rinovohen në fund të muajit të ardhshëm.

“Eshtë e qartë se askush nuk po mendon të ndërmarrë sanksione pa i parë rezultatet për çështjet që motivuan për tu vënë ato sanksione,” deklaroi Borell pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së

Përpara bisedimeve në këtë samit, ministri i ekonomisë së Ukrainës, Timofey Mylovanov, vlerësoi se kostoja financiare për vendin e tij nga “agresioni i Rusisë” që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 kap vlerën e një “humbjeje direkte në vitet 2014-2015 prej 15-20 përqind të PBB ”dhe“ një humbje të përgjithshme prej 50 deri 150 miliarda dollarësh, përfundon artikullin e saj gazeta prestigjooze Financial Times.

Përgatiti: Nuhi Shala