Macron dhe Starmer zotohen sërish për 'mbështetje të palëkundur' për Ukrainën
Franca dhe Britania e Madhe do ta mbështesin Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme “për të neutralizuar luftën e agresionit të Rusisë”, janë zotuar presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, ka raportuar media britanike BBC.
Lideri britanik ishte pjesë e aktiviteteve të Ditës së Armëpushimit te Varri i Ushtarit të Panjohur në Paris si mysafir i Macronit, dhe ka mbajtur një takim me homologun francez me të cilin kanë folur për pushtimin rus të Ukrainës dhe për ndërmarrjen e masave të reja kundër migrimit ilegal në Kanalin Anglez.
Në një deklaratë të shkruar nga Pallati Elize është thënë se dy liderët kanë riafirmuar zotimin e tyre për “përkrahje të palëkundur ndaj Ukrainës”.
Takimi i tyre është mbajtur në kohën kur është vënë në dyshim përkrahje e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, lidhur me Ukrainën pasi njëherë kishte thënë se do t’i jepte fund luftës “brenda një dite”.
Macroni e ka ftuar personalisht kryeministrin britanik për të shënuar 120-vjetorin e Antantës Miqësore ndërmjet Francës dhe Britanisë së Madhe, që kishte trasuar rrugën për bashkëpunim më të madh diplomatik ndërmjet dy shteteve.
Në komunikatë thuhet se dy liderët kanë ritheksuar zotimin e tyre për “përkrahje të palëkundshme ndaj Ukrainës dhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme për të neutralizuar luftën e agresionit të Rusisë”.
Në një komunikatë të Downing Streetit është thënë se liderët kanë diskutuar sesi të shprehin “qëndrimin më të fortë të mundshëm për Ukrainën në dimër”.
Nuk janëdhënë më shumë detaje nëse dy liderët do të përkrahnin kërkesën ukrainase që t’i lejohet përdorimi i raketave me rreze të gjata veprimi brenda territorit të thellë rus.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com