Ilustrim, aeroplani Foto: Pixabay

Macja, që u harrua në aeroplan, i bëri tri fluturime brenda 24 orëve

Një mace i ka bërë tri fluturime ndërmjet Zelandës së Re dhe Australisë brenda 24 orëve, pasi e kishin harruar në bordin e një aeroplani – raporton të mërkurën, më 22.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

Mittensm, një mace tetëmuajshe e racës “Maine Coon”, planifikohej të fluturonte nga Christchurch në Melburn  më 12 janar, por kafazi ishte harruar në bagazhin e fluturakes së “Air New Zealand”.

Pasi kishte pritur rreth tri orë për Mittensin në aeroportin e Melburnit, pronares Margo Neas i ishte thënë prej personelit të aeroportit se aeroplani tashmë ishte kthyer në Zelandë të Re, me kafshën shtëpiake në bagazh.

Gjatë fluturimit ishte lëshuar ngrohja, me qëllim që macja të ndihet rehat – ka thënë zonja Neas. Mittens, e cila ka humbur peshë, por nuk është lënduar, pastaj kishte kthyer me fluturim në Melburn që të bëhej bashkë me pronaren.

Duke folur të mërkurën për NBC-në, zonja Neas ka thënë se ajo dhe i biri ishin informuar për keqkuptimin prej personelit tokësor të aeroportit në Melburn.

“Ata thanë: ‘Shiko, e kemi gjetur macen tuaj, por aktualisht është rrugës së fluturimit kthyes në Christchurch’”.

“Dhe, unë thashë: ‘Kur e morët vesh se macja nuk ishte shkarkuar nga aeroplani?’ Dhe, ata më thanë: ‘Porsa e morëm vesh tani’. Dhe, unë thashë: ‘Qysh ndodhi kjo?’”.

Zonjës Neas i ishte thënë se piloti tashmë ishte njoftuar, që ta lëshonte sistemin e ngrohjes në bagazh, ku temperaturat ishin të ulëta nën 7 shkallë Celsius.

Incidenti ende po hetohet, por raportohet se një karrocë mund t’ia ketë zënë pamjen përgjegjësit për menaxhimin e kafazit të Mittensit në bagazh.

“Air New Zealand” ka kërkuar falje për stresin e shkaktuar – duke premtuar se do të rimbursojë të gjitha kostot e fluturimit.

Kompania nuk pranon drejtpërdrejt rezervime biletash për kafshë shtëpiake nga publiku për fluturime ndërkombëtare, andaj pasagjerët duhet t’i kalojnë kafshët e tyre nëpërmjet firmave që kanë transportues kafshësh.

Zonja Neas ka theksuar se ndihet e lehtësuar, që më në fund u bashkua me Mittensin.

“Ajo më është hedhur në krahë e u struk aty dhe më dha përqafimin më të madh ndonjëherë.” – është cituar të ketë thënë ajo për Agjencinë e lajmeve AP, të mërkurën. “Ishte një lehtësim i madh.” – ka shtuar zonja Neas, e cila më parë kishte vendosur të zhvendosej në Australi. “Nuk ishte fillim i mbarë për jetën tonë të re në Melburn, sepse nuk e kemi familjen. Nuk ishim kompletuar të gjithë”.

Fluturimi njëdrejtimësh ndërmjet Christchurchit dhe Melburnit zakonisht zgjat më pak se katër orë.