Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV zëvendëson Kica Xhelilin me deputetë tjerë në komisione parlamentare

Pas dorëheqjes së deputetes Doarsa Kica Xhelili nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kalimit në LDK, është bërë edhe zëvendësimi i saj në komisionet parlamentare.

LVV ka propozuar që për kryetar të Komisionit në Administratë Publike, në vend të Kica Xhelilit të jetë deputeti Valon Ramadani.

“Për kryetar të Komisionit në Administratë Publike propozohet deputeti Valon Ramadani në vend të ish-kryetares Doarsa Kica Xhelili. Për anëtarë të Komisionit në Administratë Publike, propozohet deputetja Arbëresha Hyseni Kryeziu” – ka qenë propozimi i LVV-së..

Po ashtu deputetja Kica Xhelili është zenvëduar nga deputetja Saranda Bogujevci edhe në pozitën e anëtares në Komisionin për Legjislacion.

Propozime të kësaj natyre erdhën edhe nga grupi parlamentar i LDK-së, pjesë e të cilit është tashmë Kica Xhelili.

LDK-ja ka propozuar që deputetja Kica Xhelili të jetë pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, në vend të deputetit Kujtim Shala.

Këto propozime u votuan me 64 vota për të deputetëve të Kuvendit.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku , javën e kaluar ka konfirmuar edhe zyrtarisht kalimin në LDK të deputetes, Doarsa Kica Xhelili, e cila ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.