LVV ushtroi kallëzim penal për tri drejtori të Fushë Kosovës, dyshojnë për keqpërdorim të rreth 100 mijë eurove

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Fushë Kosovës, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelorë në Prishtinë, për tri drejtori të komunës, nën dyshimet për keqpërdorim të afër 700 mijë eurove.

Kallëzimi penal është ngritur të mërkurën kundër Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, asaj të Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtorisë së Financave, për siç kanë thënë paditësit “keqpërdorimin e mjeteve në vlerë prej 699,140.00 euro”.

Asamblisti i LVV-së në këtë komunë Durim Hajra, ka treguar për KALLXO.com se për cilin vendim komunal bëhet fjalë.

“Bëhet fjalë për një vendim që e kemi marrë në shtator të vitit të kaluar për ndarjen e mjeteve për parandalimin dhe luftimin e COVID-19. Kemi dyshime që janë keqpërdorur disa prej mjeteve. Për shembull, te Drejtoria e Shëndetësisë kanë qenë 99 mijë euro të parapara për teste, te pakot higjienike ushqimore kemi dyshime që janë bërë keqpërdorime, sepse edhe qytetarët janë ankuar vazhdimisht që komuna nuk ju kanë dalë në ndihmë”, tha ai.

Hajra shtoi se nuk kanë informacione se ku kanë shkuar këto mjete financiare.

“Nuk e dimë ku kanë shkuar mjetet, sepse ju kemi kërkuar raport, por ata nuk na e kanë sjellë, për atë edhe dyshojmë”, theksoi ai për KALLXO.com.

Në lidhje me këto akuza, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Fushë Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

KALLXO.com ka siguruar edhe kallëzimin penal që është ngritur nga këshilltarët komunal të LVV-së.