LVV suspendon asamblistin Berat Lahu, i arrestuar në rastin 'Brezovica'

Lëvizja Vetëvendosje ka suspenduar asamblistin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Berat Lahu i cili u arrestua të mërkurën në aksionin “Brezovica”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka i cili tha se janë njoftuar me vendimet dhe pretendimet e organeve të drejtësisë për Lahun duke shtuar se dyshimet lidhen me pozitën paraprake që Lahu kishte në KEDS.

“Jemi njoftuar me vendimet dhe pretendimet e organeve të drejtësisë për anëtarin tonë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këto lidhen me angazhimin e tij të mëhershëm në sektorin privat dhe nuk kanë lidhje as me angazhimin e tij aktual as me ndonjë përgjegjësi publike në kuptimin e postit publik”- ka tha Manxhuka për KALLXO.com.

Ai ka thënë se deri në zbardhjen përfundimtare të pretendimeve, Berat Lahut i suspendohet anëtarësia në subjektin e LVV-së.

“Deri në zbardhjen përfundimtare të këtyre pretendimeve dhe verdiktit në procesin gjyqësor që do të kryhet anëtarit Berat Lahu i suspendohet anëtarësia në subjektin tonë, vendim ky i marrë nga organet tona të brendshme përgjegjëse”- konfirmoi Manxhuka.

I dyshuari i parë Berat Lahu, asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, dyshohet për dy vepra penale, “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe  “Ushtrimi i ndikimit”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, si punëtor i ndërmarrjes “KEDS” në Prishtinë, gjatë kryerjes së veprimtarisë ekonomike, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë nga shfrytëzuesit e këtyre shërbimeve në atë mënyrë që për të kryer shërbimin e zhvendosjes së tensionit të mjetit elektrik në vikend-zonën e Brezovicës, për NN, si ndërmarrje ndërtimore e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpive, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë një pronë të paluajtshme – sipërfaqe rreth 350m2, në vlerë rreth 20,000€ euro, nga NN, të cilën pronë e ka regjistruar në emër të djalit të vëllait”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë e cila përshkruan edhe dyshimet për veprën tjetër penale.

Tutje në kërkesën e Prokurorisë thuhet se “Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2016, si drejtor i  ndërmarrjes KEDS, filiali në Ferizaj, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që ka pranuar dhuratë nga NN një parcelë me sipërfaqe prej 350 m2 në vlerë rreth 20,000€ (njëzet mijë euro), me premtim se do të ndikojë tek personat përgjegjës të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë të cilët ishin duke realizuar një projekt për renovimin e rrjetit elektrik në rrugën rajonale Shtërpcë-Sharr, të cilin me kërkesën e ndërmarrjes ndërtimore NN që ishte duke kryer ndërtimet e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpizave, ka zhvendosur rrjetin elektrik të tensionit të lartë, me qëllim që t`i mundësohet ndërtimi i objekteve ndërmarrjes ndërtimore, edhe pse kjo zhvendosje duhet të kryhej në pajtim me projektin investiv të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë, kurse nga investitori i vikend shtëpizave NN në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka kërkuar 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) euro për ta kyçur në trafon elektrike të KEDS-it”- thuhet në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj të dyshuarit Lahu.

Gjykata Themelore e Ferizajt sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Lahut dhe të dyshuarve të tjerë.

https://kallxo.com/lajm/dosja-e-prokurorise-qe-rendon-ndaj-asamblistit-te-lvv-se-ne-rastin-brezovica/