LVV sqaron- Fotoja e Xhelal Sveçlës me Gjuriqin nga një konferencë

Një fotografi po qarkullin në media ku njeriu i afërt i Albin Kurtit, Xhelal Sveçla shihet në një tavolinë ulur me shefin e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriq.

KALLXO.com ka tentuar të marrë sqarim nga vetë Sveçla, por i njëjti nuk ka qenë i pa qasshëm për media.

Sveçla është duke qëndruar në Tiranë në kuadër të konferencës ndërkombëtare, me të gjitha subjektet politike të rajonit, që po mbahet me temën “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG.

Përveç Sveçlës, në takim me zyrtarin serb, në kryeqytetin e Shqipërisë, mediat raportojnë se janë edhe deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Zyrtari për media në LVV, Arlind Manxhuka ka thënë se Sveçla po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare ku pjesëmarrës është edhe Gjuriq.

“Ky nuk është takim i Xhelal Sveçlës me Marko Gjuriqin, por është pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare, me të gjitha subjektet politike të rajonit, që po mbahet me temën “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG. Në tryezë janë shumë edhe shumë zyrtarë të tjerë të partive nga Kosova, përveç shumë subjekteve rajonale, e jo takim i përveçëm”, ka thënë Manxhuka.