Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
LVV: Ritheksojmë se jemi kundër themelimit të një asociacioni
Lëvizja Vetëvendosje ka ritheksuar qëndrimin e saj së është kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
LVV njoftoi se Sekretari Organizativ, Alim Rama dhe Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku pritën në takim drejtorin e Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee.
Sipas njoftimit, në këtë takim është ritheksuar qëndrimi i LVV-së kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike.
“Veç tjerash në këtë takim u ritheksua qëndrimi i LV kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike. Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese, thanë përfaqësuesit e LV gjatë takimit” – thuhet në njoftim.
Në njoftim bëhet e ditur se LVV ka ftuar FES që të bëjnë një studim krahasimor për respektimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe në vendet e tjera, përfshirë Serbinë.
Gjithashtu, në takim LVV dhe FES janë dakorduar për koordinimin e bashkëpunimit për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale.
“U dakordua për koordinimin e bashkëpunimit për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale. Bashkëpunimi në mes LV dhe Partisë Social Demokrate të Gjermanisë do të jetë një nga objektivat kryesore gjatë këtij viti në kuadër të rritjes së koordinimit me familjen Social Demokrate në BE dhe në botë”- thotë LVV-ja.
Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.
Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.
Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.