LVV publikon sondazhin ku prin me 52%

Aktivistë e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë duke e publikuar një sondazh të realizuar nga kompania e sondazheve, UBO Consulting, ku Vetëvendosje figuron me mbi 50% të votave.

Në fotografinë e sondazhin që po publikohet në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje figuron me 52% të votave.

Në pyetjen e sondazhit se nëse zgjedhjet mbahen këtë të diele, për cilën parti do të votonit, LVV sipas këtij sondazhi del me 52.8 %, e ndjekur nga LDK-ja me 17.2%, PDK me 12.4%, si dhe AAK me 6.6%.

Ndërsa sipas këtij sondazhi, Nisma për Kosovë figuron me 1.5%, të pamjaftueshme për të kaluar pragun, që është prej 5.5%.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, doli partia e parë, me një dallim shumë të ngushtë me LDK-në, me të cilën edhe krijoi koalicionin qeverisës, që u prish pas 45 ditësh.

Tani qeveria Kurti është rrëzuar në Kuvend dhe është duke e kryer funksionin e saj si Qeveri në detyrë.

Kosova gjendet në situatë pandemie dhe ende nuk janë qartësuar se cilat do të jenë veprimet e sakta të Presidentit të vendit.

Hashim Thaçi gjatë kësaj jave i dërgoi Lëvizjes Vetëvendosje ftesën si partia fituese e zgjedhjeve, për të propozuar mandatarin për krijimin e Qeverisë.

LVV ende nuk i kanë kthyer përgjigje zyrtare Presidentit, mirëpo zyrtarët e kësaj partie kanë deklaruar se Presidenti duhet të shpërndajë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet e reja në momentin e parë që krijohen kushtet.

Image may contain: text