LVV propozon që buxheti të votohet në lexim të dytë më 21 nëntor, opozita kundërshton

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka propozuar që votimi i buxhetit të vitit 2025 në lexim të dytë të bëhet më 21.11.2024. 

“Deri më 13.11.2024 të dërgohet në komisione. Votimi i buxhetit në lexim të dytë të bëhet më 21.11.2024”- ka deklaruar Muja. 

Ndërkaq, kundër këtij propozimi doli deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili citoi disa fjalë të kryeministrit Kurti, të cilat tha se kryeministri i kishtë thënë si opozitar.

“‘Dil kallxo cila është urgjenca me kry buxhetin për dy ditë? Dil kallxo, mos u qaravesh se je kryeministër i vendit’. Janë fjalët që i ka thënë ky në opozitë e po ja përsëris. Dy ditë me ua lënë deputetëve për amendamente”- u shpreh Gashi. 

Ngjashëm ka reaguar edhe deputeti nga AAK, Besnik Tahiri, i cili tha se ky propozim “është totalisht i papranueshëm dhe kundër standardit demokratik”.

“Nuk ka asnjë logjikë të jenë vetëm dy ditë me komentu një buxhet që u votu tash me 59 deputetë pro. Totalisht e papranueshme, kundër standardit demokratik”- ka thënë Tahiri. 

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje u miratua me 60 vota për dhe një abstenim.