Foto: Lëvizja Vetëvendosje, Facebook

LVV për tubimin në Zvicër: Mërgata e mobilizuar si asnjëherë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23.01.2025 ka zhvilluar tubim elektoral në Cyrih të Zvicrës gjatë qëndrimit të tij për Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar pamje nga takimi i Kurtit me mërgatën.

“Mërgata e mobilizuar si asnjëherë më parë në misionin e përbashkët gjithëpopullor drejt 500 mijë zemrave që rrahin sikur një”- kështu e ka përshkruar LVV ketë takim.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.