LVV për takimet me subjektet parlamentare: Me të gjitha ishim konstruktiv

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, sot kanë përfunduar ciklin e takimeve me subjektet politike, të cilat kanë fituar ulëse në Legjislaturën VIII të Kuvendit të Kosovës.

“Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional. Ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje të bërë në llogarinë e këtij subjekti politik në rrjetin social në facebook.

Në fillim të javës Kurti dhe Osmani kishin filluar takimet me kryetarët dhe përfaqësuesit e partive politike dhe kanë takuar të gjitha ato që janë pjesë e legjislaturës së re: PDK, LDK, AAK, KDTP, NDS, IRDK, VAKAT, PAI, SDU, LPRK, Lista Serbe, JGP dhe Romani Iniciativa.

“Me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Përgjatë këtyre takimeve, z. Kurti dhe zonja Osmani, i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit”, thuhet tutje në njoftim.