Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV për shtrenjtimin e rrymës: Edhe vitin e kaluar ka qenë propozimi, por u mbulua me subvencionim të qeverisë

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila ka folur për paralajmërimin për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike deri në 14% nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Kusari Lila tha se kjo rritje varet edhe nga modalitetet për mbulimin e kostos apo jo nga ana qeverisë.

“I njëjti propozim ka qenë edhe vitin e kaluar. Flasim për dëgjime vjetore që janë të rregullta. Pastaj do të varet nga modalitetet e gjetjes së zgjidhjes për mbulimin e kostos apo jo nga ana e subvencioneve të Qeverisë. Edhe vitin e kaluar ka qenë propozimi i ZRRE për shtrenjtim të energjisë elektrike, pastaj Qeveria ka propozuar subvencionimin” – tha Kusari – Lila.

Sipas saj, mbetet të shihet ditët në vijim se cili është propozimi final për modelin e tarifave.

“Mendoj që jemi në një fazë që duhet të shohim format dhe mundësitë që sa më pak të preket konsumatori. Mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë propozimi final për modelin e tarifave. Mbetet në trajnim edhe nga ana e qeverisë cila është forma më e mirë që të ketë më pak ndikim” – tha Kusari – Lila.

Më 25 shkurt, Zyra e Rregullatorit të Energjisë propozoi që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

Rregullatori ka propozuar që të hyrat maksimale të lejuara për Furnizuesin Publik – KESCO për vitin 2023 të jenë 393.8 milionë euro, apo një rritje prej 13.4% krahasuar me vitin 2022 kur buxheti ishte caktuar në 347.2 milionë euro.

Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të subvencionojë tarifat e energjisë me 24.6 milionë euro. Këto mjete ishin zotuar vitin e kaluar, por Qeveria e Kosovës ishte vonuar t’i alokojë me kohë, prandaj janë bartur në vitin 2023.