LVV pas takimit me shefin e Zyrës së BE-së: Asociacioni, temë e vdekur

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, bashkë me asistenten e grupit, Valëza Mjeku, kanë pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje në takim është biseduar për punën e Kuvendit si dhe disa nga ligjet që pritet të miratohen.

“Takimi kishte karakter njoftues mbi punën e Komisioneve Parlamentare dhe rolin e Grupit Parlamentar të LV në raport me to. Ambasadori Szunyog mes të tjerash vuri theks të veçantë tek projektligji për Financimin e Partive Politike dhe votimin për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtje të Dhënave Personale dhe Privatësi. Ai poashtu tha se agjenda evropiane duhet të jetë prioritet i të gjitha subjekteve dhe grupeve parlamentare”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e LVV-së e njoftuan ambasadorin për punën e Kuvendit, me theks tek interpelancat të cilat janë mbajtur deri tani e tjerat që priten të mbahen në javët në vijim.

“Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se e sheh të dëmshëm vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-forcës për Anti Korrupsion dhe për këtë duhet kërkuar llogari. Në këtë drejtim, ajo tha se komisioni të cilin ajo e drejton do të bëjë çmos që kjo çështje ta marrë vëmendjen dhe trajtimin e duhur. Kurse, Rexhep Selimi në lidhje me marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe ripërsëriti qëndrimin e LVV-së,  e cila që nga fillimi e ka konsideruar të dëmshme atë dhe që tashmë e sheh edhe të vdekur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të 2015”, thuhet tutje në njoftim.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?