LVV pas takimit me Lajçak: Nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e Kurtit

Ish-Kryeministri Albin Kurti i Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Në njoftimin për media të Lëvizjes Vetëvendosje bëhet e ditur se Kurti e Lajçak kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë z. Lajçak gjatë takimit theksoi interesimin e Brukselit për dialog me parime e marrëveshje për normalizim midis dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit Lajçak është shprehur se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e ish-kryeministrit Albin Kurti.

“Por, z. Lajçak u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e Kryetarit Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje kjo duke marrë parasysh përkrahjen gjithnjë në rritje dhe ndikimin e madh brenda vendit. Ai njoftoi që Brukseli po punon për rifillimin e dialogut i cili pritet të nis në muajin që vjen”, thuhet tuje në njoftim.

Kurti në këtë takim ka theksuar edhe një herë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, por që nuk duhet të diskutohet për shkëmbim territorial.

“Dialogu duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli”, thuhet tutje aty.

Sipas liderit të LVV-së, ‘zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmangshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate’

Në njoftimin e LVV-së bëhet e ditur se të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë komunikimin e rregullt dhe të sinqertë në mënyrë që të informojnë njëri tjetrin për zhvillimet e mundshme në skenën politike.

Lajçak pas takimit me Kurtin në Twitter ka shkruar se ka theksuar nevojën për një zë unik të Kosovës në procesin e negociatave.

“Filloi dita e dytë në Kosovë me një diskutim shumë të mirë dhe depërtues me udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Theksova nevojën që Kosova të flasë me një zë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për njerëzit e saj”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak takon Albin Kurtin: Kosova të flasë me një zë në dialog