Qendra e Vetëvendosjes. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV pas fitores së Bidenit: Qeveria Hoti u ndërtua për servilizmin ndaj emisarit Grenell

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar popullin amerikan me rastin e zgjedhjes së presidentit të ri, Joe Biden, duke shtuar se ardhja e tij në detyrë është shpresë për kombin shqiptar.

LVV përmes një komunikate për media ka deklaruar se ky ndryshim në ShBA duhet të reflektojë edhe me ndryshim në Kosovë pasi që sipas tyre, Qeveria Hoti u ndërtua me detyrën e vetme: dobësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe servilizimin ndaj emisiarit të ish-presidentit Trump, Richard Grenell’.

“Ndryshimi në SHBA duhet të reflektohet edhe me ndryshim në Kosovë, ku tash disa muaj kemi një qeveri të paaftë dhe jolegjitime. Kjo qeveri u ndërtua me detyrën e vetme: dobësimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe servilizmin ndaj emisarit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili pati si synim zhbërjen e trashëgimisë demokratizuese e lirisjellëse të presidentëve Clinton e Bush në Ballkan. Fatkeqësisht, përpjekje të tilla destabilizuese gjetën mbështetje edhe te disa shqiptarë, të gatshëm të shkojnë kundër historisë sonë, vetëm për pushtet. Kosova ka nevojë urgjentisht për zgjedhje të reja dhe qeveri e institucione legjitime, të cilat do të kenë mundësinë të zhvillojnë raporte të drejta me fqinjët, e të thellojnë aleancën me SHBA e me presidentin e ri z. Biden”, thuhet në postimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.

Mes tjerash kanë shtuar se prirja programore e Partisë Demokratike të SHBA, për politika sociale, gjithëpërfshirje, luftim kundër diskriminimit dhe rritje të mirëqenies, përputhet me kahjen e përpjekjen e politikave kosovare.

Joe Biden është shpallur dje fitues i zgjedhjeve presidenciale në ShBA duke mposhtur kështu tashmë ish-presidentin Donald Trump.