LVV në Prizren: Ka indikacione që është devijuar vullneti qytetar

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka reaguar pak para shpalljes së rezultateve përfundimtare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Dega e LVV-së në Prizren kanë treguar se shtabi i tyre është duke përgatitur ankesa bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur në ditën e votimit. Ata kanë thënë se sipas dëshmive, ka pasur presione ndaj votuesve në qëndrat e votimit.

“Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit”, thuhet në reagim.

Sipas tyre ka indikacione për devijim të vullnetit qytetar.

“Vonesa e raportimit të rezultateve nga disa vendvotime, ku pjesëmarrja deri në orët e vona ka qenë shumë e ultë dhe pastaj kemi pasur një rritje të madhe të numrit të votuesve si dhe dëshmitë për nënshkrimet e votuesve të cilët nuk kanë qenë në Kosovë në ditën e votimit jep indikacione që është devijuar vullneti qytetar”, vazhdon reagimi.

Ato po kërkojnë nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen.

“Kërkojmë nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve”, thuhet në vazhdim të reagimit të degës së LVV-së në Prizren.

KQZ i ka shpallur rezultatet përfundimtare të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Sipas këtyre rezultateve, kryetar i Prizrenit është Shaqir Totaj nga PDK me 50,93% të votave duke lënë prapa Mytaher Haskukën nga LVV me 49,07%.

Përveç Dragashit, KQZ shpall rezultatet përfundimtare në 20 komunat e tjera