
LVV: Ne dëshmuan se si qeveriset për gratë dhe vajzat
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët për “mobilizim masiv për të arritur numrin rekord” të daljes së grave dhe vajzave në votime për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
LVV ka thënë se gjatë mandatit që po përfundon kanë dëshmuar se si qeveriset për gratë dhe vajzat – duke theksuar se kanë mbështetur nënat dhe do të vijojnë t’i mbështesim ato për çdo ditë.
“Dëshmuam se si buxheti për Sportin bëhet i plotë, kur ai është buxhet edhe për vajzat sportiste; kur buxheti për Artin është dhe për gratë artiste; kur buxheti për Ushtrinë e Policinë është dhe për gratë në uniformë; kur buxheti për Shëndetësinë është dhe për vajzat e për gratë; kur buxheti për Arsimin është dhe për vajzat e kur mbështetja e biznesit është edhe për gratë ndërmarrëse.” – ka thënë LVV.
Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar përkrahësit e partisë, që të votojnë në listën e tyre sa më shumë gra e vajza kandidate.
“Në këto Zgjedhje, në Listën tonë të përbashkët me Partinë Guxo dhe Alternativën, ne i kemi 41 gra kandidate. Secila prej tyre është figura e vajzës dhe gruas që angazhimin politik e ka krahas papërkulshmërisë përballë vështirësive të jashtëzakonshme, me të cilat përballen vajzat dhe gratë.” – thuhet në njoftimin e kësaj partie.
LVV-ja ka njoftuar, po ashtu, se më 22.01.2025 do të mbajë tubim me gra në qytetin e Mitrovicës.
Ndërsa, më 21.01.2025, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, ministri i Financave Hekuran Murati dhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi mbajtën tubim me vajza e gra të kësaj Komune.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër – lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.