LVV: Ndërmarrja Publike Banesore po tenton manipulimin e një projekti 200 milionë euro

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka thënë se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) po tenton manipulimin e një projekti gjigant, që sipas tyre e kap vlerën e 200 milionë eurove.

Në një konferencë për media para Komunës së Prishtinës, Azemi ka thënë se në fund të mandatit, duke përfituar nga koncetrimi i subjekteve politike për të bërë fushatë, sipas tij, po tentohet të lihet në harresë fati i NPB-së.

“Aty po parashihen 100 mijë metra ndërtim, 70 mijë metra ndërtim mbitokësor dhe 30 mijë metra ndërtim nëntokësor. Sipas vlerës minimale të çmimit të tregut atë zonë i bie se vlera përgjithshem e përfitimit do të jetë mbi 2,000 euro për metër katror ose 200 milionë euro në tërësi”, ka thënë Azemi.

Tutje, ai tha se sipas marrëveshjes së nënshkruar, NPB-ja nga ky projekt do të përfitoj vetëm 30% të hapësirës. Sipas tij, ndërtimet do të bëhen në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë.

“Pra në zonën më të lakmuar në Prishtinë, ku për prona private ofrohen marrëveshje me mbi 50% të hapësirës si kompenzim, këta e japin pronën publike me vetëm 30%. Pra në kurriz të pronës publike të qytetarëve, tentojnë një grup i ngushtë i këtij pushteti komunal dhe disa firmave fiktive ndërtimore”, tha Azemi.

Azemi, po ashtu ka ngritur dyshime rreth kompanisë fituese të tenderit, pasi sipas tij, ajo kompani është regjistruar në ARBK vetëm një ditë para se të bëhej shpallja nga NPB-ja.

“E duke i parë të gjitha procedurat e këtij projekti, gjithçka ishte e planifikuar paraprakisht. Dëshmi për këtë që e tham ishte edhe kontrata e nënshkruar nga NPB-ja dhe Made Group, që po hyn në një projekt gjigant dhe që e ka vlerën rreth 200 milionë euro, është regjistruar me datën 9 dhe shpallja e interesit ka qenë me datën 10, një ditë dallim, mjafton që të jetë konkurruese dhe fituese e tenderit”, thotë ai.

Në fund, asamblisti i Vetëvendosjes akuzoi partitë tjerë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, si LDK, PDK, PSD dhe AKR se janë duke e bllokuar që në Kuvend të debatohet për këtë projekt.