LVV mungon, opozita ndërprenë seancën e jashtëzakonshme për shkak të pakënaqësive me RTK-në
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, është ndërprerë me kërkesë të partive opozitare të cilët u nisen drejtë objektit të RTK-së në shenjë pakënaqësie që debati nuk ishte duke u transmetuar në kanalin qendror.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi që seanca të ndërpritet për sot [16.10.2024] dhe të vazhdohet në një moment tjetër.
Seanca e jashtëzakonshme u zhvillua vetëm në prezencën e deputetëve të tri partive opozitare, PDK, LDK e AAK. Ndërsa, deputetët e LVV-së nuk qenë të pranishëm në sallë.
PDK përmes 41 nënshkrimeve ftoi seancë të jashtëzakonshme për të debatuar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit.
Megjithatë, opozitarët u shmangen nga tema kryesore pasi diskutuan edhe për çështjen së përgjimeve që u publikuan ditëve të fundit në media, të disa bisedave që pretendohet t’i ketë zhvilluar koordinatorja e komiteteve të LVV-së, Dejona Mihali me ish-drejtorin e KEK-ut Nagip Krasniqi, e ku siç thuhet në to, Mihali i është drejtuar Krasniqit me fjalët “a po vjen me kapele”.
Në fakt, në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës thuhet se “në seancën e jashtëzakonshme diskutohet vetëm për çështjen e ngritur”
Para se të fillonte seanca, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar një aksion simbolik duke vendosur kapele të zeza në ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se LVV-ja po fshihet pas kapelave të zeza pasi “nuk ka se çfarë suksese të tregoj për 3 vite e gjysmë qeverisje”.
“Me ju fol në Kuvend këtyre kapelave është si me fol për deputetët e VV-së. Këta kanë vendosur të jenë si këto kapela. Këta kanë vendos me qenë marsha të Dejonës. Këta janë të shkretë. Përmes këtyre kapelave të zeza që na i nxori në pah Dejona, shefja e tyre, këta janë munduar të mbulojnë shumë krime. Janë munduar të mbulojnë krimin e faljes së borxheve që shkon deri në 20 milionë euro. këta kanë vendosur ta mbulojnë krimin edhe në rezerva shtetërore. Më së lehti është ta vendosësh një kapele dhe të fshihesh por do të dalin të gjitha”- ka thënë ai.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se arrestimi i Naser Hafizit dhe “përgjimet” e Dejona Mihalit tregojnë që “qeveria është e zhytur në korrupsion.”
“Kjo qeveri veç duar të pastra nuk ka. I ka zhytur thellë në korrupsion. Hafizi nuk është ndonjë person i parëndësishëm. Ai është i afërt dhe shumë i afërt me Kurtin, ndërsa Dejona është vetë Kurti. Këta njerëz janë shkurt e shqip struktura kriminale. Si ka mundësi Naser Hafizi me pagë pak mbi 700 euro të blejë katër banesa brenda një viti e të ketë qarkullim mbi 400 mijë euro. Pse një person pa asnjë pozitë në Qeveri vendos kur duhet të ndalet rryma. Kësaj nuk mund t’i themi gjë tjetër veçse skemë e organizuar kriminale. Këta njerëz premtuan parajsë dhe përfunduan duke i varfëruar qytetarët”- ka thënë Zemaj.
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se strukturat joformale parapolitike janë vendimmarrëse në Qeverinë Kurti, duke u shprehur se ato po vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës.
“Kosova ka ardhur në një stad ku struktura joformale po diskutojnë se ku duhet të ndalet rryma e kur jo. Është e papranueshme që parapolitika të ketë në dorë secilën ministri e ndërmarrje publike. Nuk duhet të jetë asnjë paqartësi se mbi çfarë baze është përllogaritur e shlyer borxhi. Ne jemi në muajt e fundit të këtij Kuvendi”- është shprehur ai.
Pas mbylljes së seancës, deputetët e tri partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur “mbytje të fjalës së lirë dhe mbytje të zërit opozitar”, mostransmetimin e seancës së jashtëzakonshme në kanalin kryesor të Radiotelevizionit të Kosovës.
RTK nuk e shfaqi seancën e Kuvendit në kanalin kryesor, opozita shpreh revoltën para televizionit
Seanca është thirrur për të trajtuar “keqpërdorimet e rreth 11 milionë eurove të faljes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit”.
Një person është arrestuar pas aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të martën më 08.10.2024.
Dy institucionet njoftuan se i dyshuari I.B. u arrestua për veprat penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, dhe – armëmbajtje pa leje.
Valon Hoti, këshilltar i lartë politik i ministrit Liburn Aliu, ka reaguar rreth aksionit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai ka thënë se as ministri e asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi për asnjë lëndë, duke shtuar se ky është sqarim “rreth tentimeve për manipulim të opinionit publik”.
“Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej” – thotë ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha dje se “do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetikë nga Dejona Mihali”.
Kjo është seanca e dytë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita brenda tri ditësh dhe e treta brenda një jave. Të hënën është debatuar për çështjen e ushqimit në FSK, por në këtë seancë, ngjashëm me të sotmen, nuk kanë marrë pjesë deputetët e mazhorancës.