LVV mban tubim me vajza dhe gra, Kurti: Zotohemi që do të jemi përherë pranë juve

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, më 29.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral me vajza dhe gra në Prishtinë.

Kurti tha se gratë shqiptare përgjatë gjithë historisë kanë luftuar kundër pushtuesve të jashtëm, kanë flakur tutje konceptet partiarkale, janë angazhuar për ndërtimin e një shoqërie të lirë e të drejtë, bashkë më shumë burra.

Ai ka bërë thirrje t’u jepet guxim vajzave që votojnë për herë të parë dhe mbështetje për gratë e moshuara që të degjohet edhe zëri i tyre.

“Më 9 shkurt çohuni herët, merrni nënat, motrat, vajzat, shoqet, gjyshet, vjehrrat, baballarët, dilni në votime dhe tregoni se gratë e Kosovës e kanë vendosur të lëvizin vetë. Me vendosmëri, me guxim për veten tuaj. Numri 118 sjell barazi, liri, sovranitet e dinjitet”- u shpreh ai.

“Zotohemi që do të jemi përherë pranë juve e bashkë me juve”- tha ai.

Kandidatja për deputete e LVV-së, Albulena Haxhiu, e nisi fjalimin duke thënë se ky është tubimi më i madh ndonjëherë i mbajtur vetëm me vajza dhe gra.

“Në këto katër vite kemi ndërtuar politika që kanë krijuar më shumë mundësi për gratë. Me qeverinë Kurti 3 do të bëjmë edhe më shumë për gratë e vajzat e vendit tonë. Ne nuk kërkojmë favore, as përparësi. Ne gratë dhe vajzat e Kosovës kërkojmë barazi, që puna jonë të vlerësohet, zëri ynë të dëgjohet, vendimet të mos merren pa vajzat dhe gratë. Ka ende barriera dhe mungesë të barazisë të cilën do ta ndryshojmë me votën e 9 shkurtit”- ka thënë ajo.

Haxhiu u ka kërkuar grave të dalin masivisht në votime për zgjedhjet e 09.02.2025.

Kandidati për deputet, njëherazi ministër i Financave, Hekuran Murati, ka folur për shtesat për lehona dhe fëmijët dhe rritjen e pagës minimale.

“Jemi Qeveria e vetme që ka pasur në qendër të prioriteteve fuqizimin ekonomik të vajzave dhe grave. Shumica e grave në vend e bëjnë punën e gruas, nënës dhe punën prej të cilës marrin rrogë si profesioniste”- ka thënë Murati.

Murati ka thënë se puna e nisur për fuqizimin e grave do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, duke theksuar premtimin për platformën e punësimit “Superpuna për Gratë”.

Partitë politike në Kosovë nuk kanë sjellë risi sa i përket barazisë gjinore në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Listat zgjedhore të subjekteve politike të publikuara më 11.12.2024 edhe në këto zgjedhje janë të dominuara nga burrat.

Të gjitha subjektet politike janë kujdesur për respektimin e kuotës 30 për qind për përfaqësim të grave, por në këto lista gratë nuk janë të përfaqësuara barabartë 50/50 sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

Partia më e madhe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, nga 110 kandidatë ka 41 gra kandidate për deputete, që i bie 37 për qind.

Liderët e partive politike në Kosovë jo rrallëherë kanë folur për rëndësinë e barazisë gjinore në shoqëri e institucione, madje disa prej tyre edhe kanë premtuar 50 për qind gra në pozita udhëheqëse.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Grave të LVV-së më 15.09.2024, pati thënë se krenohet me përparimin që Kosova ka pasur kur vjen puna te Parlamenti e Qeveria.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.