LVV: Lejet ndërtimore në Ferizaj janë dhënë kundërligjshëm

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga Ferizaj, Haki Abazi, Enver Haliti dhe Dimal Basha, në një konferencë për media kanë deklaruar se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e ka konfirmuar paligjshmëritë e lejeve ndërtimore në këtë komunë.

Deputetët Abazi, Haliti, dhe Basha me një shkresë drejtuar Ministrisë Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë kërkuar interpretim ligjor për Planet Rregullative Urbane që janë në fuqi në Komunën e Ferizajt.

Sipas tyre në përgjigjen që kanë pranuar nga Ministria thuhet se Komuna nuk mund të lëshojë leje ndërtimore duke u bazuar në Ligjin për ndërtim në rastet kur ekziston plani rregullativ urban.

“Planet Rregullative Urbane janë në fuqi, që nënkupton se Komuna e Ferizajt kundërligjshëm ka lëshuar qindra leje ndërtimore me vite të tëra, sepse janë bazuar në Ligjin për Ndërtim, i cili aplikohet vetëm në rastin kur nuk ka plan rregullativ urban, që në rastin e Komunës se Ferizajt, ky plan rregullativ ekziston”, thuhet në njoftimin e publikuar nga deputeti Haki Abazi në rrjetin e tij social Facebook.

Tutje ai ka bërë të ditur se: “Në përgjigjen nga Ministria, gjithashtu qartësohet që nuk lejohet lëshimi lejeve ndërtimore në bazë të Planit Zhvillimor Komunal, sepse sipas ministrisë, ky është dokument orientues strategjik i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim. Megjithatë, zyrtarët komunal në Ferizaj kanë vepruar kundërligjshëm duke lëshuar leje ndërtimi në bazë të Planit Zhvillimor Komunal, edhe pse kanë qenë të njoftuar me vite të tëra se këto veprime janë në kundërshtim me ligjin”, ka shkruar Abazi.

Ai ka shkruar se qyteti i Ferizajt është ngulfatur nga ndërtimet që sipas tij janë bërë me leje të dhëna kundërligjshëm, gjë të cilën sipas tij e ka konfirmuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

“Me vite të tëra qytetarët e Ferizajt ballafaqohen me krimin urban që ka shkatërruar dhe ngulfatur jetën e qytetareve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, dhe krejt kjo si pasojë e dhënies së kundërligjshme të lejeve të ndërtimit, dhe sot qyteti është kriminalizuar dhe ngulfatur nga betoni”, ka shkruar ai.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetari i kësaj Komunë, Agim Aliu.

I njëjti ka kërkuar që ne të flasim me nënkryetarin Lulzim Aliu. Ky i fundit i ka mohuar deklarimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aliu ka thënë se ata kanë marrë tjetër përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe e njëjta përgjigje është transmetuar ndryshe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës së sotme.

Po ashtu, ai ka thënë se në fund të përgjigjjes që e kanë marrë nga Ministria, është thënë që ky vlerësim i Ministrisë nuk është i domosdoshëm për komunën.

“E para nuk është e saktë ajo që ata e kanë thonë e që e ka thonë ministria nëse nuk e keni pasur letrën që e kanë dorëzu, ata dmth përgjigjen që e ka dhënë ministria, nuk është ashtu qysh e kanë transmetu ata sot. Ka ekzistu një vendim i kuvendit të komunës të cilin ministria në atë kohë në 2017 e ka pranuar si të ligjshëm që po i bie që ministria atëhere e ka miratuar atë plan zhvillimor komunal i cili i ka shfuqizu të gjitha dokumnetet e përparshme të planifikimit, përfshirë edhe planet rregullative të komunës”, tha Aliu.

“Për këtë në këtë përgjigjje ministria ka thënë që ne nuk kemi kompetencë për të vlerësuar një vendim të komunës sepse atë vendim e interpreton vetë organi që e ka marrë atë vendim. Dmth përgjigja është kshtu. Plus asaj, ka thënë ministria nuk ka kompetenca për me interpretu nëse planet rregullative në komunë janë në fuqi apo jo, ndërkohë ka bërë interpretim të ligjit dhe ka thënë do të duhej të ishin në fuqi sepse ligji e thotë kështu. Do të duhej, mirëpo vendimi i kuvendit ka qenë që i ka anulu ato plane rregullative dhe ajo që është më e rëndësishmja në fund të përgjigjes që në e kemi thuhet që ky është vlerësim i yni dhe nuk është obligativ për komunën”, deklaroi nënkryetari Aliu.