LVV kundërshton PDK dhe LDK, kërkojnë që votimi i gjyqtarëve të Kushtetueses të jetë në rend të ditës

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e ka kundërshtuar iniciativën e partive opozitare që votimi i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të mos përfshihet në rend të ditës.

“Votimi për kandidat për gjykatë kushtetuese sot është në agjendë. Kemi obligime institucionale e kushtetuese në raport me detyrat që i mbajmë, doni me qenë në kundërshtim me detyrat që i keni marrë ajo është zgjidhje e juaja”, ka deklaruar Kusari Lila.

“Ne nuk mund të jemi pjesë në atë proces. Kërkojmë që seanca të vazhdojë siç është paraparë me deklarime e që ashtu edhe jemi duke u deklaruar por që të vazhdojmë deklarime për çështje të caktuar që e kanë minutazhën e caktuar”, shtoi ajo.

Kusari Lila tha se mund të vazhdojnë që të diskutojnë për tema të ndryshme por që sipas saj duhet të vazhdohet me seancë njëjtë siç është miratuar në mbledhjen e kryesisë.

“Ne mundemi me vazhdu me diskutu me tema të ndryshme. Duhet të vazhdojmë me seancë siç është miratuar në mbledhjen e kryesisë”, tha deputetja.

Në këtë seancë pika e 3-të është propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, i cili kishte dështuar dy herë.

BIRN ka monituar këtë proces, konkursi për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përmbyllur pas një procesi jotransparent të përzgjedhjes së kandidatëve që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim.

Komisioni vlerësues kishte vendosur të mbyllte për publikun dhe monitoruesit poentimin e kandidatëve pas intervistimit të tyre.

Për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë aplikuar 13 persona.

Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistave, komisioni ka vendosur të dërgojë në Kuvend për votim katër kandidatë: Etrur Maloku, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu dhe Bardh Bokshi.