LVV kundër tërheqjes së parave nga Trusti Pensional

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk do ta mbështesë propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) për tërheqjen e një përqindje të parave nga fondi pensional.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se ky propozim nuk do e ketë mbështetjen e LVV-së, sepse koncepti i Trustit ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve pas moshës 65 vjeçare.

“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë, për arsye se vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65 vjeçare kur ata përfundojnë kontributin për fondin pensional”, tha Kusari-Lila sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ajo shtoi që do të diskutojnë me partitë opozitare për modalitete tjera të ndihmës për qytetarët.

“Ajo çka mbetet të diskutojmë bashkë më opozitën janë modalitetet tjera të ndihmës, ato të cilat qeveria në vazhdimësi nuk ka hezituar t’i prezantojë. Edhe në këtë vit janë shtuar mjetet qoftë për rezervat shtetërore dhe në veçanti për skemat sociale, janë shtuar kategori të reja siç është mbështetja për lehona, fëmijë etj.”, ka shtuar ajo.

Partia Demokratike e Kosovës bëri të ditur sot se kanë dërguar në Qeveri projektligjin për plotësim ndryshim të ligjit për fonde pensionale, për çështjen e tërheqjes edhe një sasie të caktuar nga Trusti.

Gjatë vitit të kaluar, qeveria Hoti kishte vendosur që t’i lejoj qytetarëve që të nxjerrin 10% të shumët së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Nga sot fillon aplikimi për tërheqjen e 10% nga Trusti