LVV kërkon nga kryeministri ta shkarkojë Driton Selmanajn

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti që ta shkarkojë nga detyra e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajn.

Aliu tha se kjo kërkesë për shkarkimin e tij, vjen pas deklarimeve dhe qëndrimeve të fundit të Driton Selmanaj që i bëri në televizione të Kosovës lidhur me çështjen e diskutimeve të interpelancës për të pagjeturit të rrëmbyer dhunshëm nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Qëndrimi i tillë është i papranueshëm së pari nga pikëpamja morale, së dyti sepse është mungesë e thellë respekti ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre, së treti sepse dëmton në mënyrë të pa korrigjueshme pozicionin shtetëror të Kosovës kudo”, tha Aliu.

Aliu tha se edhe pse kjo qeveri për ta është jo legjitime dhe jo legale, deklarata e Selmanaj është përtej kësaj çështje.

“Çështja e personave të pagjetur përbën shtyllë identitare të shtetit të Kosovës dhe vlerë të pa prekshme andaj edhe në këtë pikë ne nuk mund të ketë tolerancë. Çdo ditë që kalon pa marr masa për largimin e Driton Selmanaj nga pozicioni i zëvendës kryeministrit nga qeveria e Republikës së Kosovës është dëmtim përveç që është edhe fyerje për viktimat e krimeve të Serbisë në Kosovë. I apostrofuar këtu në Kuvend ne konsiderojmë se nuk është i mirëseardhur. Ky është qëndrimi ynë sig p në solidarizim me indinjatën e thellë të qytetarëve dhe të familjarëve të viktimave”, tha Aliu.

Aliu duke ju drejtuar deputetëve të LDK-së tha se kjo kërkesë nuk ka të bëjë me LDK-në.

Ndryshe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kishte bërë kërkesë tek zyra e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj për raportim lidhur me çështjen e personave të pagjetur.

Në përgjigje të zyrës së zv.kryeministrit Selmanaj thuhej se çështja e personave të pagjeturve është konsumuar.