LVV kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë, e akuzon KQZ-në për mohim të demokracisë

Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë treguar për parregullsitë në KQZ, të cilat sipas tyre lidhen me shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë, bllokimin e publikimit të raporteve financiare të partive politike dhe bllokimin e aplikacioneve për regjistrimin e mërgimtarëve për votim në Kosovë.

Podujeva është duke u qeverisur me ushtrues detyre të kryetarit që nga shkurti i këtij viti kur kryetari Agim veliu kishte dhënë dorëheqje për t’u emëruar ministër i Punëve të Brendshme.

Zgjedhjet e caktuara të mbahen në mars u shtynë për shkak të përhapjes së pandemisë ndërsa nuk është caktuar një datë tjetër e mbajtjes së tyre.

Sipas komunikatës për media, anëtari i kësaj partie në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë ajo që është duke ngjarë në KQZ është e kundërta e asaj që sipas kushtetutës dhe ligjit duhet të ngjante në Kosovë. Institucioni i vetëm kushtetues dhe ligjor që merret me përgatitjen dhe zbatimin e ligjshmërisë për mbajtjen e zgjedhjeve, po ua mohon qytetarëve në pjesën veriore të vendit dhe në Podujevë ushtrimin e vullnetit politik përmes zgjedhjeve.

“5 herë e kemi ngritur çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna dhe të pesë herët është votuar kundër nga përfaqësuesit e partive tjera, jo vetëm që është votuar kundër, por madje është votuar kundër edhe për ta futur në rend të ditës këtë çështje”, citohet të ketë thënë Kurteshi.

Ai kujtoi që javën e kaluar i është dërguar një letër Naser Ramadani të IKSHKP-së, për rivlerësimin e situatës epidemiologjike se a mund të mbahen zgjedhjet në Podujevë. Kurteshi po ashtu kujtoi që vendet e rajonit Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, kanë mbajtur zgjedhje madje edhe në petkun e pandemisë dhe asnjë e dhënë shkencore nuk thotë që mbajtja e zgjedhjeve mund të ndikojë në rritjen e rasteve me COVID-19.

Kurteshi tha se duke ua mohuar qytetarëve të drejtën qytetarëve për ta shprehur vullnetin demokratik përmes zgjedhjeve të lira, KQZ-ja e ka humbur kuptimin e vet si institucion.

Në lidhje me publikimin e raporteve financiare të partive politike dhe aplikacionin për regjistrim të mërgimtarëve për votim, Kurteshi theksoi se të dyja këto edhe pse ishin pjesë e planit vjetor të punës së KQZ-së, partitë e koalicionit po i mbajnë të bllokuara ato.

“Votuan kundër publikimit të raporteve financiare të partive politike nën arsyetimin banal që ato raporte nuk janë audituar nga Kuvendi e rrjedhimisht mund edhe përbëjnë shkelje ligjore. Më herët janë publikuar raportet financiare, kurse tani kjo çështje mund të zvarritet e të zgjas me vite të tëra”, potencoi Kurteshi.

“Ngjashëm absurd është edhe bllokimi i aplikacioneve të mërgimtarëve për votim. Edhe kjo ka qenë pjesë e planit vjetor, pra, krijimi i një aplikacioni që lehtëson procesin e regjistrimi të mërgimtarëve, kur vjen çështja te zhvillimi i këtij aplikacioni, votohet kundër nën arsyetimin se duhet ruajtur integriteti i votës. Kjo është absurde ngase ky aplikacion nuk ka të bëjë me votën por me regjistrimin”, tha Kurteshi.

Sekretari Organizativ i Vetëvendosje, në Podujevë, Bahri Selimi ka thënë se të gjitha justifikimet për mosmbjajten e zgjedhjeve në Podujevë kanë rënë poshtë. Kufizimet janë hequr, institucionet dhe bizneset kanë filluar punën dhe rastet kanë pësuar rënie. E vetmja gjë që ka mbetur është frika e pushtetit të LDK-së në këtë qytet, që kundërligjshëm përmes afërsisë me presidentin po mundohet ta mbajë pushtetin.

Sipas Selimit, kjo gjendje pa kryetar komune, ka krijuar mundësi që njerëz që asnjëherë nuk kanë marrë as edhe një votë, të jenë në krye të detyrës  për ta keqpërdorur pushtetin e vjedhur buxhetin. Ai përmendi tenderë që shpërndahen për familje të caktuara dhe punësimet të paligjshme të familjarëve dhe militantëve partiakë.

“Prej nënkryetarit Rudari që ka punësuar mbesën si mësimdhënëse e vëllain drejtor shkolle, deri te ish kryetari Veliu duke punësuar renë e vëllait si infermiere, kështu që me nguti dhe fare pa konkurse po punësojnë të afërm të tyre në administratën komunale”, citohet të ketë thënë Selimi.

“Komuna e Podujevës po udhëhiqet nga një njeri që në zgjedhjet lokale nuk e ka asnjë votë, madje asnjë të vetme dhe nuk përfaqëson asgjë. Nënkryetari i komunës Ruadri është një marionetë që punon dhe përfaqëson vetëm interesat e ngushta të një grupi që ka uzurpuar dhe ngulfatur komunën tonë,” ka theksuar ai.

Zgjedhjet në Podujevë kanë qenë të parapara të mbahen në mars, por që janë shtyer në afat të pacaktuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Këto zgjedhje pritet të mbahen pasi që ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu kishte kaluar në ekzekutiv si ministër i Punëve të Brendshme.