LVV kërkon interpelancë për Blerim Kuçin për lejen 40 vjeçare të KELKOS-it

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar interpelancë për ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçin, për dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhim të energjisë elektrike të ndërmarrjes KELKOS ENERGY” për HC Deçani dhe HC Belaja.

Sipas LVV-së, operimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit përmes kompanisë “Kelkos Energy sh.p.k.” ka shkaktuar dëme të mëdha në ambientin e rajonit ku operojnë sikurse edhe në shëndetin e qytetarëve.

“Edhe pse më 14 tetor 2020, këtyre tre hidrocentraleve ju kishte ndaluar operimi, për shkak se nuk kishin leje mjedisore dhe leje ujore, pas lejes nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ZRRE në mbledhjen e sotme, mori vendim për dhënien e licencave për 40 vjet për dy hidrocentralet në bjeshkët e Deçanit”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje në reagimin e tyre thuhet se edhe pse deklarimet e Blerim Kuçit se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk i ka dhënë leje mjedisore dhe leje ujore kësaj kompanie, vendimi i sotëm i ZRRE-së “jo vetëm se nxori në pah mashtrimin e tij të radhës, por e bënë këtë proces edhe tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm”.

“Me vendimin për dhënien e lejes për operim për 40 vjet, është goditur rëndë mjedisi në zonën e Grykës së Deçanit dhe burimet e ujit, por edhe buxhetin e shtetit”, thuhet më tej.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se përkundër iniciativave, kërkesave e peticioneve për të ndërprerë degradimin e mjedisit, ZRRE mori këtë vendim që sipas tyre, është i dëmshëm dhe i paligjshëm.

“Për pasojat e këtij vendimi, të gjithë ata që kanë mundësuar dhe miratuar atë, duhet të përgjigjen ligjërisht. Ministri Blerim Kuçi nuk mund t’i ikë përgjegjësisë së drejtpërdrejt ligjore. Ky vendim duhet të shfuqizohet pa humbur kohë, kurse përgjegjësit duhet të japin llogari”, është thënë në fund të reagimit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që kompanisë KEKLO-s, t’i japë leje për prodhim të energjisë për 40 vjet me kushtin që ta ripërtërijë lejen mjedisore në kohëzgjatje brenda pesë viteve.

Me tri vota për dhe një kundër ky propozim i ZRrE ka kaluar duke i dhënë lejen kompanisë KELKOS që të prodhojë rrymë me hidrocentralet Belaja dhe Deçani.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mohur se i është dhënë leja mjedisore kompanisë Kelkos Energy për prodhimin e energjisë elektrike nga dy hidrocentralet në Grykën e Deçanit. Kuçi ka thënë se kjo kompani nuk i ka plotësuar ende disa kushte.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit.