LVV ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve, thotë se nxori mësime

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kryesia e partisë mbrëmë ka mbajtur një mbledhje, në të cilën është analizuar rezultati i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Në njoftim thuhet se numri i komunave të fituara (4) nga LVV nuk është i kënaqshëm.

Lidhur me rezultatin, Vetëvendosje thotë se ka vend për vetëkritikë.

“Nuk jemi përgjigjur sipas nevojës e pritjes popullore. Diku kemi qenë shumë larg e diku kemi qenë shumë afër fitores. Të gjithë kemi mundur të bëjmë më shumë. Diku me kandidatin, diku me programin, diku me komunikimin, diku me angazhimin. Na ka munguar optimizmi në veprim. Nuk i kemi shtyrë limitet e vetëvetes”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sipas LVV-së, një prej arsyeve të mosrealizimit të synimit të saj është fakti që kishin vetëm dy gra kandidate për kryetare.

Edhe pandemia, sipas analizës së LVV-së, është një nga arsyet e mosarritjes së synimit.

“Pandemia ndërkaq, ka goditur mjetin tonë të veprimit e komunikimit me njëri – tjetrin e qytetarët: tubimet e mesme e të mëdha. Nuk kemi mundur ta përdorim këtë mjet e gjithashtu nuk kemi gjetur një zëvendësim efikas për këtë”, thuhet në njoftim.

Dhe, sipas Vetëvendosjes, të rëndësishme janë mesazhet që qytetarët i kanë dërguar përmes zgjedhjeve.

“Këto zgjedhje kanë qenë mësim për ne. Pranojmë të nxjerrim mësime sepse politika është shkolla jonë e përhershme.

Lëvizja Vetëvendosje e ka përsëritur atë që tashmë e ka thënë lideri i saj, Albin Kurti, se LVV nuk arriti më shumë në zgjedhje sepse të gjitha partitë e tjera u bënë bashkë kundër saj.

“Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit. Ata të gjithë u bashkuan sepse sot bashkë ruajnë kapitalin. Garojnë në pasuri dhe bashkohen në politikë. Në të dyjat u pengon VETËVENDOSJA!. Andaj e luftuan bashkë. Edhe heshturazi edhe zhurmshëm”, thuhet tutje në njoftim.