Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV-ja propozon Albin Kurtin për deputet

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka vendosur tetë kandidatë për deputetë, në krye me liderin, Albin Kurti.

Këtë e ka bërë të ditur Atdhe Arifi, aktivist i LVV-së, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Përveç Kurtit, kjo degë ka propozuar për kandidatë edhe Liburn Aliun, Arben Vitinë, Xhelal Sveçlën, Glauk Konjufcën, Fitore Pacollin, Albulena Haxhiun dhe Hatixhe Hoxhën.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Këtë aktgjykim disa palë e kanë lexuar edhe për të dhënë opinion për një situatë tjetër, duke thënë se Albin Kurti, i cili është i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, nuk do të mund të kandidojë për deputet.

Kjo deri më tash ende nuk është qartësuar përfundimisht.

Megjithatë nga LVV vazhdimisht kanë deklaruar se Kurti do t’i prijë listës së tyre.

Për zgjedhjet e 14 shkurtit, partitë kanë të drejtë që deri të shtunën të përpilojnë listat me kandidatë.