Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV-ja bën kërkesë që të rishikohet vendimi për kompensimin e shpenzimeve për deputetët

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se kanë proceduar kërkesë zyrtare për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka njoftuar që kjo kërkesë i është bërë kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për të rishikuar këtë vendim.

Ajo edhe njëherë ka theksuar se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë hequr dorë nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit

“Po ashtu, e ritheksojmë se deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, heqin dorë vullnetarisht nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione, ndërsa shprehemi të gatshëm të kontribuojmë në përmbajtjen e vendimit të ri për lartësinë e kompenzimit të deputetëve duke ftuar të gjitha palët e interesuara të bëhen pjesë e diskutimit kur të fillojë puna në vendimin e ri”, ka thënë ajo.

Vetëm pas raportimeve për shpenzimet për karburante, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hoqën dorë nga marrja e benefiteve që i ofron Kuvendi i Kosovës për shpenzimet e udhëtimeve.

Kuvendi i Kosovës ka bërë publike shpenzimet e udhëtimit të deputetëve për periudhën 2011-2021.

Në këtë LINK mund t’i shikoni shpenzimet e deputetëve për udhëtime në periudhën për periudhën 2011-2021.

Legjislativi ka njoftuar se deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione.

“Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit nuk nënkupton shpenzimet për derivate, por për të gjitha mënyrat e udhëtimit”, thuhe tutje në sqarimin e Kuvendit.