LVV ia merr LDK-së kryesuesin e Këshilltarëve Komunal në Podujevë

Lëvzijes Vetëvendosje i është bashkuar kryesuesi i Këshilltarëve Komunal të LDK-së në komunën e Podujevës, Avni Fetahu.

Kështu ka bërë të ditur LVV përmes një njoftimi, ku ka thënë se përvoja dhe dija e tij do t`u shërbejnë shumë.

“Avniu është magjistër në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Përvoja, dija e tij dhe profesionalizmi i Avni Fetahut do t’i shërbejë shumë Lëvizjes sonë, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror”, thuhet në njoftim.

Tutje LVV thotë se Avni Fetahu ka përvojë të gjatë menaxheriale duke qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik si dhe drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës.

“Ka marrë pjesë në shumë vizita studimore dhe në konferenca ndërkombëtare. Avniu është mësimdhënës në Shkollën Ekonomike “Isa Boletini”. Është i martuar dhe prind i 5 fëmijëve”, është thënë më tej.

Lëvizja Vetëvendosje bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës në nivel vendi. Në krye të Qeverisë është Albin Kurti.