
Ilustrimi: KALLXO.com
LVV i fitoi Zgjedhjet, por a mund të sigurojë shumicën në Kuvend për votimin e Qeverisë së re?
Rezultatet preliminare të Zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë e kanë bërë të mjegullt procesin e krijimit të Qeverisë së re. Edhe pse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në orët e vona të së dielës e shpalli fitoren, përqindja e votave të fituara në Zgjedhjet parlamentare, bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk i japin hapësirë për të qëndruar komod, se mund ta bëjë Qeverinë vetëm me partnerët e koalicionit: Listën Guxo dhe Alternativën.
Kryeministri aktual ka shfaqur megjithatë bindjen se mund t’ia dalë pa opozitën. “Ne jemi subjekti fitues, që do të formojë Qeverinë e ardhshme.” – u shpreh Kurti në festën e simpatizantëve të LVV-së, të organizuar pas mesnatës në sheshin “Skenderbeu”, në Prishtinë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si partia e dytë fituese në këto Zgjedhje, ndonëse fillimisht nuk ka vënë vija të kuqe për koalicion me LVV-në, e ka qartësuar pozicionin e saj të hënën, duke i thënë “Jo” një oferte të mundshme nga partia e Kurtit. Ndryshe prej saj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë përjashtuar qysh në orët e para, pas mbylljes së kutive të votimit, mundësinë për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje. Derisa lideri i AAK-së Ramush Haradinaj e shtyn përpara idenë e krijimit të Qeverisë nga partitë opozitare, lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar pozicionimin në opozitë.
Skenarët ekzistuese për formimin e Qeverisë së re janë që LVV-ja të bëjë koalicion me partitë e komuniteteve joshumicë ose me ndonjërën nga partitë opozitare. Ndonëse “rregullat e lojës” mund të ndryshojnë dhe partive opozitare u krijohet mundësia për formimin e Qeverisë, nëse LVV-ja nuk ia del të sigurojë shumicën parlamentare.
LVV-PDK, afër dhe larg
Partia Demokratike e Kosovës, e cila për nga numri i votave po qëndron e dyta me një rritje të dukshme prej Zgjedhjeve të vitit 2021, me mbi 22%, nuk ka vendosur vija të kuqe përfundimtare për koalicion të mundshëm me LVV-në.
Analisti politik, Agon Maliqi thotë se koalicioni LVV-PDK do të ishte teorikisht Koalicioni më i qëndrueshëm për një mandat të plotë, sepse do t’i siguronte numrat edhe për Presidentin vitin e ardhshëm – proces ky që do të ndodhë në vitin 2026.
Maliqi ka bindjen se ky Koalicion do të kishte legjitimitet më të madh për të arritur Marrëveshje të ndjeshme në Dialogun me Serbinë. Megjithatë, ai evidenton diçka që nuk shkon në këtë kombinim.
“Por, e shoh jashtëzakonisht të vështirë të arritshëm, të mos them të pamundur, për shkak të shkuarës, për shkak të mosbesimit të thellë që do të ekzistonte mes palëve, por edhe për shkak të pozicioneve diametralisht të kundërta në çështjet strategjike, veçanërisht marrëdhënieve me aleatët e Kosovës.” – deklaron Maliqi për KALLXO.com.
Kryeministri Albin Kurti, sipas tij, në fjalimin e fitores e ka injoruar faktin se me përqindjen e fituar ka nevojë për një koalicion më të gjerë për të qeverisur. Dhe e dyta, ai konsideron që Kurti e sulmoi ashpër opozitën.
“Një gjë të tillë nuk do ta bënte një lider i cili ka interes për të ulur tonet polarizuese dhe për t’i afruar partitë opozitare për një koalicion.” – u shpreh ai, duke shtuar se veçanërisht në një kohë kur opozita e sotme tashmë i ka numrat për ta bërë Qeverinë pa kryeministrin Kurti.
Prandaj, Maliqi deri më tani nuk sheh sinjal nga Kurti se është i interesuar për të krijuar koalicion – gjë që sipas tij e lë “situatën pezull”.
Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza tha se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion me VV-në.
“Më obligon mua që të sillemi ashtu që ta respektojmë vullnetin e shumicës për ndryshim. Nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me VV-në. Ata duan pushtet absolut.” – tha ai në Konferencë për media, më 10.02.2025.
Ai tha se e kanë detyrë që t’i japin qytetarëve Qeverinë që e duan dhe do t’i marrin hapat e nevojshëm në kohën e duhur, që t’i japin qytetarëve Qeverinë që e kanë kërkuar.
“Procedurat janë të qarta. Partia e parë e ka të drejtën me fillu këtë proces. Nëse dështon, ne si parti opozitare ulemi, pasi që dalin rezultatet zgjedhore zyrtare dhe normalisht negociojmë.” – tha ai, kur u pyet nëse do të bëjë koalicion me partitë opozitare.
LVV-AAK, “assesi”
Seb Bytyçi, profesor në Universitetin e Ëinchesterit në Angli, mendon se LVV-ja për ta formuar Qeverinë pa partitë e tjera shqiptare mund të llogarisë në partitë e pakicave që janë pro-LVV-së ose neutrale, ku përjashtohen deputetët e Listës Serbe dhe partisë gorane.
“E shumta, LVV mund të gjejë përkrahje nga 11 deputetë të pakicave, që i bie se i duhet t’i ketë të paktën 50 deputetë të vetë për ta arritur numrin e duhur për formimin e Qeverisë së re.” – tha ai për KALLXO.com.
Si rrjedhojë, Bytyçi thotë se LVV-ja e ka vështirë ta fitojë atë numër të ulëseve, prandaj i duhet të bëjë koalicion me një parti tjetër, e që sipas tij zakonisht në këto raste koalicioni bëhet me partinë më të vogël të mundshme, duke asociuar me koalicionin AAK-Nisma.
“Nëse koalicioni AAK-NISMA i fiton 8 deputetë, atëherë këta deputetë mund ta bëjnë diferencën për formimin e Qeverisë së re. Mund të ketë koalicion LVV+AAK-NISMA dhe variacione të tij, si p.sh.: LVV+AAK, ose LVV+NISMA.” – tha ai, duke e cilësuar si një nga opsionet e mundshme.
Ndërsa, si opsione më pak të mundshme ai vlerëson se mund të jenë: LVV+LDK, ose LVV+PDK.
“Kurse, si opsion rezervë ekziston edhe ai LVV+Lista Srpska, që do të mund të ndodhte vetëm me një ujdi për zbatimin e Marrëveshjeve të arritura me Serbinë.” – u shpreh ai.
Ramush Haradinaj tha se do të ndihmojë një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.
“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq, si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra Qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.” – tha Haradinaj, në Konferencë për media, më 10.02.2025.
Lidhja Demokratike e Kosovës në një farë forme e pranoi humbjen në këto Zgjedhje dhe nuk përmendi mundësi që të jetë në pozitë.
“Përgjegjësinë për fushatën e marr unë dhe i jap llogari vetëm LDK-së dhe qytetarëve që kanë votuar për LDK-në. Dritë do të ketë në Kosovë. Ky është rezultat demokratik. Kemi një rritje të theksuar, ndonëse jo të kënaqshme dhe jo në përmasa të asaj që kemi pritur.” – tha kandidati për Kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, në Konferencë për media, më 09.02.2025.
“Opozita e pazëshme”
Gjatë fushatave zgjedhore ka pasur shpesh raste kur partitë kanë vendosur “vija të kuqe”, duke thënë se nuk do të bëjnë koalicion me këtë apo atë parti. Përvoja nga e kaluara dëshmon se këto vija të kuqe kanë ditur edhe të hiqen pas Zgjedhjeve.
Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Europë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), njëherësh eksperte dhe hulumtuese e lartë e Sigurisë, me këto rezultate, vlerësoi se asnjë parti nuk është fituese, e as për VV-në për shkak se i ka kërkuar 500 mijë vota, e në anën tjetër ka rënie prej Zgjedhjeve të kaluara.
“LVV jo domosdoshmërisht është ndëshkuar. Unë mendoj që e ka humbë atë përqindjen e votuesve të pavendosur, ata që e kanë votuar në 2021.” – tha ajo në “DebatPlus”, më 09.02.2025.
Ajo tha se ka pritur më shumë nga LDK, duke parë që Abdixhiku ka bërë një reformë më të thellë në parti dhe ka filluar shumë herët me fushatë.
Sidoqoftë, ajo tha se PDK-ja e LDK-ja kanë punuar me konsistencë të vet. Nuk kanë punuar si opozitë.
“Shpesh është thënë që opozitë e vetme ndaj Kurtit kanë qenë ose media, ose ndonjë analist, ose Shoqëria civile. Opozita si opozitë nuk ka qenë e zëshme, edhe pse kanë pasë mundësi që të bëjnë më shumë.” – tha ajo për rezultatet e Zgjedhjeve.
Me 94.04% të votave të numëruara deri në orën 15:04, nga KQZ-ja, Vetëvendosje renditet e para, me 326.484 vota, apo me 41.14%. Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.42%, apo 177.890 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.66%, apo 140.100 vota. Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.48% të votave, apo 59.356.
Ndërkohë ende nuk janë numëruar votat e diasporës. Numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104.924 votues, e sa kanë votuar deri më tani ende nuk dihet. Pos tyre, në përqindjen e tanishme të rezultateve preliminare nuk janë të përfshira as votat me kusht dhe as të personave me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, proporcionalisht partive i ndahet në fund edhe përqindja e partive të cilat nuk e kanë kaluar pragun. Këto vota të panumëruara deri më tani mund ta luajnë rezultatin për disa përqindje.
Këto janë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Ndryshe nga këto Zgjedhje, në Zgjedhjet e parakohshme të mbajtura, më 14.02.2021, kanë marrë pjesë 903.379 votues, apo 48.78 % e numrit të përgjithshëm prej 1,794,862 votuesve të regjistruar nga KQZ-ja.
Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në këto Zgjedhje, duke i marrë 50.2 % të votave, apo 438.335 vota. E dyta u rendit PDK-ja, me 17%, apo 148.285 vota. E treta u rangua LDK-ja, me 12.7%, apo 110.985 vota. E katërta doli AAK-ja, me 7.1%, apo 62.111 vota. Dhe, e pesta u listua Lista Serbe, me 5%, apo 44.407 vota.