LVV: Hoti të vijë në raportim, por pa Driton Selmanajn

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti që të marrë pjesë në interpelancën për Ujmanin, por aty të mos jetë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Sipas tij, nëse Selmanaj do të jetë prezent, do të ketë protestë të njëjtë nga Vetëvendosje.

“Kuvendi duhet të vazhdoj punën dhe Hoti duhet të vijë në Kuvend. Hoti nuk duhet të fshihet pas Driton Selmanajt. Ne presim në ora 14:00 që Kryeministri Hoti dhe Qeveria të vijnë, e të mos vijë fare Driton Selmanaj. Nëse ai vjen, ata e dinë reagimin tonë dhe kjo i bie që Hoti nuk dëshiron të ballafaqohet”, tha Liburn Aliu në konferencë për media.

Kryeministri Hoti është paraparë që të mbajë interpelancë në Kuvendin e Kosovës në lidhje me liqenin e Ujmanit.

“Prezenca e tij (Driton Selmanaj) sot është provokative sepse ata e kanë pasur parasysh reagimin tonë sepse ne e kemi thënë publikisht”, tha Aliu në mes tjerash.

“Ne e kemi shprehur se Driton Slemanaj është i padëshiruar në sallën e Kuvendit e që kjo lidhet me deklarimet e tij për të pagjeturit, madje ka ofenduar duke thënë se është lodhur nga kjo çështje”, tha mes tjerash Aliu.

Sot gjatë ditës është ndërprerë seanca e Kuvendit pasi që Lëvizja Vetëvendosje ka protestuar duke kërkuar larimin e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj nga salla e Kuvendit.

https://kallxo.com/lajm/deputetet-e-lvv-se-protestojne-per-largimin-driton-selmanajt-nga-kuvendi-video/