Tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan. Foto: Albin Kurti

LVV gjobitet me 10 mijë euro për gjuhën e Kurtit dhe Gërvallës ndaj Haradinajt

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 10 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore.

Në Vendim thuhet se AAK-ja është ankuar se kandidatja për Deputete, Donika Gërvalla dhe kandidati për Kryeministër, Albin Kurti kanë përdorur gjuhë të papërshtatshme gjatë fjalimit të tyre në një tubim në Deçan, më 26.01.2025.

“Sipas parashtruesit të Ankesës, gjatë këtij fjalimi, Donika Gërvalla-Schwartz, duke aluduar për Ramush Haradinajn, të njëjtin e quan ‘Gjeneralë të vetëshpallur’ (në shumës), e më pas vazhdon e njëjta ‘Prandaj, unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim, për korrupsion, për vrasje apo mashtrim’.” – thuhet në Vendimin e PZAP-së.

Sipas Vendimit ankuesi ka theksuar se deklaratat e bëra nuk janë asgjë tjetër, veçse një tentativë për të manipuluar opinionin publik, pasi sipas tyre shihet qartë se Gërvalla e akuzon liderin e një partie opozitare për “vrasës dhe kriminel.”

Për këtë rast PZAP-i ka pranuar Ankesën e AAK-së dhe partnerëve të Koalicionit dhe e ka gjobitur LVV-në me 10 mijë euro.

Sipas Vendimit LVV-ja ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

Lëvizja Vetëvendosje e gjobitur në këtë rast ka thënë se konsiderojnë që Ankesa është pabazuar.

Sipas LVV-së sa i përket pjesës së parë të deklaratës së kandidates Gërvalla në të cilën pos tjerash kinse e ka quajtur Haradinaj “Gjeneralë të vetëshpallur” sipas tyre në asnjë formë nuk cenon Nenet.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve të parashtruesve lidhur me deklaratat e kandidatit për Kryeministër Albin Kurti, kinse “respekt për pushkën që ia kanë kthyer Serbisë, por nuk ia bëjmë hallall për paret që ia kanë marrë popullit”, e cila sipas pretenduesit aludohet për Ramush Haradinajn, LVV konsideron se Kurti në asnjë moment nuk e ka përmendur Haradinajn apo AAK-në.” – thuhet në përgjigjen e LVV-së për PZAP-në.

Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta shihni në këtë: LINK.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.