Numrimi i votave - Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

LVV e quan tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale vendimin e PZAP-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka shpallur si të pasafatshme ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila kishte kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka quajtur pozicion arbitrar dhe të pashpjegueshem këtë vendim të PZAP-it.

Arsyetimin e PZAP se ankesa e LVV është e pasafatshme, kjo parti politike e ka quajtur tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale.

“Justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet”- thuhet në reagimin e LVV-së.

Kjo parti ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte njoftuar se është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, më 04.03.2025.

Sipas rezultateve të publikuara në platformën https://rezultatet2025.net/ nga votat e dërguara me postë nga jashtë Kosovës më së shumti vota ka fituar Lëvizja Vetëvendosje – 51.57% ose 31,963 vota, e ndjekur nga LDK – 30.55% ose 18,933 vota, PDK- 9.48% ose 5,878 vota, koalicioni AAK-NIsma – 3.23 % ose 2,000 vota.

Votimi nga mërgimtarët u realizua në dy forma: përmes postës dhe votimit fizik nëpër ambasada dhe konsullata. Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Zgjedhjet e 09.02.2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

PZAP e shpall të pasafatshme ankesën e LVV-së për përsëritje të votimit jashtë vendit